Adem Çuçul, kandidati më i vlerësuar për kreun e Antikorrupsionit

Sekretari i përgjithshëm aktual i Komisionit Shtetëror Zgjedhor për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Adem Çuçul, është vlerësuar si më i suksesshmi në procedurën e përzgjedhjes për zyrtarin e parë Antikorrupsionit. Ai është një nga dhjetë kandidatët që aplikuan për pozicionin e kryetarit të KSHPK-së, i cili mbeti vakant pasi Tatjana Dimitrovska dha dorëheqjen pas aktakuzës në rastin “Aditiv”, transmeton Portalb.mk.

Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve për kryetar të KSHPK-së, i formuar nga Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, i dha Adem Çuçulit 96.50 pikë, duke vlerësuar se ai ka treguar përvojë në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe një vizion të qartë dhe një plan konkret për punën dhe zhvillimin e KSHPK-së.

Branko Smilevski nga Shkupi – ekonomist i diplomuar, magjistër i shkencave antikorrupsion, i cili është ndihmës aktual i kryerevizorit, u rendit i dyti me 86.33 pikë, dhe Kimo Çavdar nga Shkupi, avokat me provim të dhënë të jurisprudencës dhe doktor i shkencave politike, i cili mori 81.83 pikë.

Sipas njoftimeve, nesër do të mblidhet Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime, në të cilin duhet të votohet kandidati për kryetar të KSHPK-së pas përzgjedhjes së bërë paraprakisht nga Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve. Fillimisht, për kryetar të KSHPK-së aplikuan 13 kandidatë. Ndërkohë, njëri prej tyre tërhoqi dokumentet, ndërsa dy u gjetën se nuk i plotësonin kushtet, gjë që e uli numrin në 10.

KSHPK mbeti pa kryetare pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovskës, e cila dha dorëheqjen pas akuzave nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar për dy vepra penale: zbulimin e sekreteve zyrtare ish-drejtorit të TEC Negotina, Nebojsha Stojanovi1, i akuzuar në “Aditiv”, dhe falsifikim kompjuterik, sepse një auditor nga Enti Shtetëror i Revizionit kaloi test certifikate sekreti shtetëror në emër të saj.