Abdixhiku: Vendimet në LDK nuk merren në studio televizive e nga zhurmaxhinjtë e kurdisur

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se thirrja e Kuvendit të Punës është akt përgjegjësie morale ndaj anëtarësisë dhe historisë së LDK-së. Ai ka sulmuar studiot televizive ku ka thënë se gjyqi publik shndërrohet në spektakël.

Abdixhiku ka thënë se vendimi për t’u ballafaquar me situatën pas zgjedhjeve ishte i tij dhe se nuk ka pritur presione apo ultimatume, duke e cilësuar ballafaqimin si aktin e parë moral në politikë. Ai nënvizoi se përgjegjësia politike nuk ndahet, por merret, dhe se ajo duhet ushtruar vetëm brenda institucioneve partiake.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku pranoi se nata e zgjedhjeve ka qenë një nga momentet më të vështira, jo vetëm për shkak të rezultatit, por si pasqyrim i sakrificës shumëvjeçare të anëtarëve dhe mbështetësve të LDK-së. Ai theksoi se lideri i një partie si LDK-ja gjithmonë përballet me dilema mes mbylljes në vetvete dhe daljes përpara anëtarësisë për të marrë përgjegjësi pas rezultateve zhgënjyese.

Kryetari i LDK-së ishte i prerë se asnjë platformë, trup apo organizim tjetër nuk ka të drejtë të vendosë për fatin e partisë, përveç Kuvendit dhe anëtarësisë. Sipas tij, gjykimet publike, debatet televizive dhe presioni në rrjete sociale nuk mund të zëvendësojnë procesin demokratik të brendshëm.

“Përgjegjësia nuk ndahet me askënd, por merret. Kjo përgjegjësi nuk merret në studio televizive kur gjyqi publik bëhet spektakël, as përpara zhurmaxhinjve të kurdisur që shpallin vdekjen e një partie me 36 vjet e aq më pak me postime të rrjeteve sociale ku shpallim fatin tonë të LDK-së. Jemi më të mëdhenj se kaq. Trajtoni veten si të tillë. Përgjegjësia vetëm në një vend, në Kuvend të LDK-së”, ka thënë ai gjatë fjalimit.

Abdixhiku ka thënë se rezultati zgjedhor nuk është pasojë e një gabimi të vetëm apo e një vendimi të vetëm, por një proces i ngadalshëm që është ndërtuar me kalimin e kohës. Ai bëri thirrje për guxim politik dhe përballje me realitetin pa iluzione.

“Rezultati që na solli këtu nuk erdhi nga një gabim i vetë, as nga një natë e vetme e as nga një vendim i vetëm. Erdhi ngadalë, si grumbullim që rëndohet çdo ditë. Duhet të kemi guxim t’i themi disa të vërteta pa iluzione”, ka thënë ai.

Në këtë kuadër, Abdixhiku theksoi se LDK-ja është parti unike në skenën politike të Kosovës, pasi themeluesi i saj nuk jeton më, çka e ka detyruar partinë të ndërtojë lidership përmes demokracisë së brendshme. Ai vlerësoi se demokracia partiake e bën LDK-në më të vështirë për t’u udhëhequr, pasi lidershipi në këtë parti sfidohet çdo ditë dhe nuk është autoritet i pakontestueshëm.

Abdixhiku përmendi edhe vëmendjen e madhe publike ndaj Kuvendit të LDK-së, duke e cilësuar atë si dëshmi se partia mbetet institucion gjithëkombëtar, pavarësisht rezultateve zgjedhore. Ai ka thënë se lidershipi në LDK ka qenë gjithmonë objekt goditjesh, përfshirë edhe kryetarët e mëparshëm, dhe se sulmet shpesh kanë ardhur nga brenda partisë.

Abdixhikut theksoi se kritikat nuk kanë të bëjnë me të personalisht, por me pozitën e kryetarit të LDK-së, duke nënvizuar se integriteti personal dhe lidhja e tij me partinë nuk varen nga funksioni që mban. Ai bëri thirrje që energjia brenda LDK-së të përdoret për forcimin e partisë dhe jo për gërryerjen e saj nga brenda.