Abdixhiku në kongresin e EPP-së: E ardhmja jonë është Evropa, aty duhet ta ankorojmë vendin tonë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se ka mbajtur një fjalë rasti në sesionin hapës të Kongresit të Partive Popullore Evropiane.

Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se e ardhmja jonë është Evropa, njofton Klankosova.tv.

Abdixhiku u shpreh se aty duhet ta ankorojmë vendin tonë, si testament për të shkuarën dhe siç tha ai, si obligim për të ardhmen.

“I nderuar të mbajë fjalë rasti në sesionin hapës të Kongresit të Partive Popullore Evropiane (EPP), formacionit më të madh politik Evropian. Para delegtëve e liderëve evropiane të djathtë, shtrova pikëpamjet politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbi rrugëtimin tonë origjinal euroatlantik, rreziqet e sigurisë nga Serbia, nevojën e menjëhershme për njohjet e pesëshes; sikurse dhe betejën tonë të përbashkët evropiane kundër popullizmit”.

“E djathta evropiane do të garojë si favorite në zgjedhjet e ardhshme Evropiane. Fitorja e saj është siguri për Republikën e Kosovës, Ballkanin Perëndimor dhe vet projektin e Bashkimit Evropian. LDK-ja mbetet gardiane e demokracisë dhe relacioneve me aleatë. E ardhmja jonë është Evropa. Aty duhet ta ankorojmë vendin tonë, si testament për të shkuarën, si obligim për të ardhmen”, u shpreh ai.