Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka mirëpritur dekretin dhe siç ka thënë qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhjet e reja të parakohshme, të premten.
Pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri, Abdixhiku tha se zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës… Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, shkroi ai në rrjetin social Facebook, transmeton KosovaPress.
Abdixhiku shtoi se janë të gatshëm të marrin pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
“Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike”, tha ai.



