Abdixhiku: Kryeministër, lidhe zv.kryeministrin

Debati në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për rritjen e çmimeve ka degraduar deri aty sa është dashur intervenimi i kryeparlamentarit për tërheqje të vërejtjes.

Kjo, pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një moment iu drejtua kryeministrit Albin Kurti: “Kryeministër, lidhe zv.kryeministrin”, duke iu referuar Besnik Bislimit që në një moment kur ai po komentonte fjalimin e tij.

Kjo bëri që kryeparlamentari Glauk Konjufca t’ia tërheqë vërejtjen Abdixhikut për gjuhë joparlamentare.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se opozita ka 5 muaj që e ka paralajmëruar Qeverinë për krizën e çmimeve, por që sipas, tij, ajo ka marrë masa të dobëta.

Tahiri ka thënë se tash opozita bën politikë, sepse siç ka thënë, qeveria aktuale për politikë gati e ka kallë Kosovën.

“Nuk e akuzojmë qeverinë për ngritje ekstreme por i themi qe pesë muaj kemi adresuar çështje edhe nuk janë marrë me të. Normal që bëjmë politikë se ju për politikë keni dashtë me e kallë Kosovën. Unë e di që kryeministri Kurti ka aftësi për fjalime me rima për bojlera, filtera, për me citu ndonjw filozof ne të djathtë e në të majtë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka kërkuar Ligjin për Paga, heqjen e akcizës përkohësisht dhe rritjen e pagës minimale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria aktuale nuk është fajtore për rritje të çmimeve, por faji i saj, siç ka thënë, është se ka marrë përsipër detyra të cilat nuk mund t’i kryejë.

Krasniqi këtë deklaratë e ka bërë në seancën e jashtëzakonshme për media të martën, me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat për ngritjen e çmimeve.

Sipas tij, qeveria aktuale pretendon se Kosova i ka punët më mirë madje edhe se Austria e Franca.

“Sipas ASK-së ka rritje 15 për qind për bukë e drithëra. Kjo e bën të qartë sa të vështirë e bën jetën e qytetarëve. Unë dhe të gjithë e dimë që nuk keni faj kryesor për ngritje çmimesh por keni faj që keni marrë detyra që ju mundeni e nuk dini t’i kryeni. Se për 3 muaj periudhë kohore po ju përsëritet historia e njëjtë si ajo me rrymën që nuk ditët qysh me reagu”, ka thënë Krasniqi.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se është e pashmangshme që kriza aktuale në botë të mos ketë efektin e saj edhe në Kosovë, por ka shtuar se për këtë nuk duhet t’i drejtohet gishti qeverisë aktuale.

Kusari-Lila ka përmendur një varg masash, që sipas saj i ka marrë Qeveria Kurti për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, të martën gjatë seancës së jashtëzakonshme me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për rritjen e çmimeve.

“Debati po synon të imponojë mendimin që qeveria nuk po reagon ndaj ngjarjeve në vend. Shembull është aksioni i djeshëm i inspektoratit policor. Fakti që konfirmohet se askush nuk është i paprekshëm as Policia e Kosovës, tregon për nivelin aktual ndaj rendit dhe ligjit për të cilën është e angazhuar kjo Qeveri. Ju sot natyrisht se e bëni këtë debat për përfitim politik. Nga fillimi i pandemisë pakot e rimëkëmbjes u janë ndarë qytetarëve në nevojë. Në qershor të vitit 2021 ishte 420 milionë euro. Në fund të shkurtit qeveria ka ndarë mjete shtesë për programin e rezervave shtetërore. Qeveria ka ndalë edhe për 5 masa të ringjalljes ekonomike për t’i mbështetur ata që kanë humbur në punë atë”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, Qeveria ka bërë dyfishimin e shumës së asistencës sociale si dhe vazhdimin e mbështetjes shtesë për 26 mijë familje edhe për vitin 2022.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se ne inicimin e Grupit Parlamentar të LDK-së është ftuar kjo seancë si reagim për situatën e krijuar fillimisht me çmimet e karburanteve dhe më pas e artikujve esencialë.

Ajo ka thënë se arsyeja që i ka shtyrë për ta thirrur këtë seancë është mungesa e reagimit të anës së Qeverisë dhe ndërhyrja e tyre në tregun e lirë.

“Jemi vetëm një javë larg për ta parë se sa është ngritur çmimi në të vërtetë me faturat e reja. Qeveria që ndau 100 milionë për subvencionim të rrymës. Kosova kishte eksportuar 30 milionë. Si ka mundësi që në kohën kur kemi importu me çmime shumë të larta ne edhe paskemi eksportuar. Sot ngritja çmimit është bërë pandemi e dytë. Qeveria kishte parashikuar që inflacioni të shkonte rreth stabilizimit por ajo që po ndodh sot është shqetësuese. Sa i përket karburanteve disa shtete ia hoqën tatimin dhe akcizën por qeveria jonë nuk bëri asgjë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ata kanë propozuar që të largohet akciza dhe të zvogëlohet dukshëm TVSH-ja të paktën 3 muaj.

Bajrami ka thënë se arat me grurë ka shumë mundësi të mbesin të pa punuara për shkak që shteti është vonuar me subvencione.

Krejt kjo sipas saj po ndodh për shkak që kjo qeveri qe 10 muaj e ka lënë vendin pa autoritetin e konkurrencës.

‘Qeveria mori role të cilat nuk i takonin u kthye në shtet policor… Vendimet qeveritare për ndërhyrje në ekonomi janë arbitrare të pazbatueshme dhe në kundërshtim me parimet e tregut të lirë, i tillë ishte edhe vendimi për përgjysmimin e biletave të autobusëve. A e din zv/ministri që autobusit i kushton litri i naftit jo një euro sikur ai ka qenë në opozitë por 1.6 euro. Është koha që taksat që i keni mbledhur t’i ktheni në shërbim të tyre. Është koha të dilni me pako fiskale ekonomike konkrete që të tejkalohet kriza. Ne kemi propozime konkrete dhe do të mundohemi t’i harmonizojë gjatë seancës.

Ndonëse filloi me vonesë, Kuvendi i Kosovës mori vendim që seanca e sotme e jashtëzakonshme, të shtyhet për në orën 12:15.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se në koordinim me kryesuesin, të hënën janë dakorduar që seanca, që ishte caktuar të fillonte në ora 11:00, të niste për disa minuta me vonesë pasi krerët e partive janë në një tryezë diskutimi.

“Meqë kryeministri e krerët e partive nuk janë në seancë propozoj që ta shtyjmë edhe 20 minuta seancën meqë është debat jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, tha se nuk është e pranueshme kjo sjellje, pasi sipas saj, deputetët është dashur të njoftohen për këtë shtyrje paraprakisht.

“Kjo mënyrë e trajtimit të deputetëve pa dallim është e papranueshme”, tha Musliu.

Në seancën e sotme do të mbahet debat parlamentar lidhur me rritjen çmimeve. Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti dhe krerët e partive janë në një tryezë për Javën e Gruas.

Në këtë seancë do të ketë debat parlamentar lidhur me rritjen e çmimeve. Ku dhe është e vetmja pikë e seancës së kësaj të marte.

Seanca e jashtëzakonshme pritet të fillojë në orën 11:00.

Ditëve të fundit, qytetarët e Kosovës janë përballur me ngritje të vazhdueshme të çmimeve të disa prej produkteve më elementare.

Kjo ka ngritur reagimin e tyre por edhe të organizatave joqeveritare dhe vetë institucioneve të cilat kanë kërkuar hetime dhe marrje masash.