Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj 6 deputetëve të partisë së tij, të cilët dje dolën kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të vendit, kandidaturë e propozuar dhe dakorduar nga LDK në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje.
I pari i LDK-së ka thënë se LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë dhe se, sipas tij, të gjithë deputetët e kësaj partie ishin pajtuar me këtë qëndrim.
“Dje nuk u refuzua asnjë marrëveshje qeverisëse me VV-në, sepse një marrëveshje e tillë nuk ekzistonte. LDK-ja kishte vendosur të qëndronte në opozitë. Të gjithë deputetët tanë ishin pajtuar me këtë pozicion. Prandaj, për çfarë po rrahin gjoks? Çfarë paskan shpëtuar? Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka kritikuar gjashtë deputetë e LDK-së për qëndrimin e tyre, duke thënë se veprimi i tyre, sipas tij, i ka shkaktuar dëm vetë partisë.
“Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora! Por siç ju kam thënë në vitin 2020, kur u verbuat dhe sollët LDK-në në 12%; po ju them dhe tani, ky veprim është dëm vetëm ndaj LDK-së. Se si nuk e shihni këtë, se si nuk ndjeni këtë fat, se si ndiheni të përmbushur nga lëvdatat e atyre që gjithë jetën janë anti-LDK, këtë nuk e kuptoj”, ka shtuar Abdixhiku.
Ai ka deklaruar gjithashtu se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë pjesë e agjendës së LDK-së dhe se ato nuk kanë qenë as kërkesë e as vendim i anëtarësisë së kësaj partie.
“Por tash e sa muaj, ato kanë qenë agjendë e qartë e grupeve të tjera politike, të cilat, siç duket, tashmë po ndikojnë edhe në rrjedhat tona me sukses. Për këtë ndiej vetëm keqardhje! Por jo dorëzim. Jemi shumë. Jemi në të drejtë. E kemi detyrim. Republika megjithatë do të triumfojë”, ka nënvizuar kreu i LDK-së./ RTK.
© SYRI.net



