Kryetari i Qeverisë malazeze, Dritan Abazoviq, i druhet një krize si ushqimore ashtu edhe energjetike, në vjeshtë, duke u kërkuar qytetarëve të jenë të përgjegjshëm dhe të kursejnë kur bëhet fjalë për karburantin dhe energjinë elektrike.
“Ky nuk është apel për të ndryshuar zakonet, por thjeshtë një vit i vështirë për të gjithë botën. Mali i Zi nuk do të anashkalohet. Unë besoj se do ta kalojmë edhe këtë situatë”, deklaroi Abazoviq, sipas mediave në Podgoricë.
Pas bisedës me homologun e tij finlandez, Abazoviq theksoi se qytetarët duhet ta pranojnë faktin se qeveria po bën gjithçka që ka në dorë, por nuk mund ta ndalë luftën në Evropë.
“Nuk do të kemi vetëm krizë energjetike, por edhe krizë ushqimore. Dhe vendet serioze po e konsiderojnë serioze. Ne do të marrim të gjitha masat dhe që tani kemi filluar t’i marrim. Tashmë kishim një iniciativë për politikën e akcizës”, shpjegoi Abazoviq.