Abazoviq: Dubrovniku i bombarduar ishte turpi më i madh i Malit të Zi

Si fëmijë, më kujtohet bombardimi i Dubrovnikut – turpi më i madh i Malit të Zi në historinë moderne, një vend i kapur prej “kthetrave” të nacionalizmit, urrejtjes dhe përfitimit të luftës, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Ai vizitoi qytetin ku së bashku me Filip Axhiqin, ministrin e Punëve të Brendshme të Malit të Zi, u takua me Ratko Knezheviqin, gazetar, diplomat dhe biznesmen.

Sipas mediave kroate, kryeministri malazez ka arritur mbrëmë me Axhiqin për një vizitë private në Dubrovnik.

“Sot ishte nder për mua, si kryeministër i parë malazez, të ecja lirshëm përgjatë Stradunit të bukur, të bëja foto dhe të bisedoja me njerëzit e dashur të Dubrovnikut”, ka shkruar ai.

“Një ditë pune me ministrin Filip Axhiq në Dubrovnik, biseda me diplomatë, e më pas takim dhe darkë me malazezin tonë të famshëm në Kroaci, Ratko Knezheviq. Ne po përhapim dashuri, bashkëpunim rajonal dhe po ndërtojmë të ardhmen evropiane”, pohoi Abazoviq.

Ndryshe, qeveria e udhëhequr prej Abazoviqit do të votëbesohet më 19 gusht pas iniciativës së disa partive të pozitës dhe opozitës, të cilat po e quajnë tradhti kombëtare marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.