AAK: Ramush Haradinaj mund të jetë kandidat për president të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj mund të jetë kandidat për president të Kosovës.

Kështu është thënë pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të kësaj partie të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, tha se ekzistojnë thirrje brenda këtij organi të partisë që Haradinaj të jetë kandidat për president.

“Mund të kemi rrethana të reja sa i përket situatës me zgjedhjen e presidentit të Kosovës për shkak se edhe nëse nuk do të ketë konfirmin të aktakuzës për presidentin Thaçi e që ne gjithë njëzëri kemi shpresu që nuk do të konfirmohet ajo aktakuzë, prap se prap për 4 ose 5 muaj duhet të hyjmë në proces të zgjedhjes së presidentit dhe Aleanca nuk mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje për shkak se nuk do të mund të arrijmë ta zgjedhim presidentin e ri”, ka thënë Gjini.

Vetë Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook e ka konfirmuar se mund të jetë kandidat për president.

“Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka shkruar Haradinaj.

Partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk janë marrë vesh se kush do të zgjidhet president pas skadimit të mandatit të presidentit Thaçi më 2021.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Ndryshe, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën. Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Cilat janë telashet e koalicionit LDK-AAK?

Gjini theksoi se duhet gjetur mënyra për të mos shkuar në zgjedhje në këtë kohë të pandemisë. Ai u shpreh edhe kundër prishjes së koalicionit qeverisës për shkak të kritikave të fundit që kjo parti ka drejtuar ndaj kryeministrit, Avdullah Hoti.

Kryetari i AAK-së, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte kritikuar shefin e qeverisë Avdullah Hoti, për mospërfshirjen e ministrit të Drejtësisë, Selim Selimin, nga radhët e AAK-së, në dialogun me Serbinë. AAK-ja ka kritikuar edhe ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duke thënë se ai po rrëshqet në një dialog teknik.

“Kritikat e AAK-së për modelin e dialogut nuk nënkuptojnë mosmbështetje politike për qeverinë dhe nuk nënkuptonmë prishje të koalicionit”, tha Gjini.

Më 11 gusht, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i tha Radios Evropa e Lirë se vetëm konfirmimi i aktakuzave nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, mund të ndryshojë situatën politike në Kosovë.