AAK: Jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë organizimin e këtij referendumi

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kundërshton organizimin e referendumit për ndryshime kushtetuese të Serbinë në territorin e Kosovës.

Ashtu si edhe partitë tjera opozitare, edhe nga AAK-ja përmes një deklarate për medie kanë kundërshtuar këtë referendum.

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Tutje, ata shtojnë se “Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe në territorin e saj nuk mund të organizohen kurrfarë referendumesh të shteteve të tjera, e as referendumi i Serbisë, i cili pastër është përpjekje për ushtrimin e sovranitetit nacional të Serbisë mbi Kosovën”.

Ndryshe, institucionet e Republikës së Kosovës, në një takim të përbashkët me Ambasadorët e Quint-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, sipas deklaratës së përbashkët të krerëve të shtetit, “përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.