AAK-ja s’ka votë për Konjufcën

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar edhe një herë që nuk kanë votë për Glauk Konjufcën, duke i reaguar kryetarit të degës së kësaj partie në Prizren, Besnik Krasniqi.

Krasniqi gjatë ditës së djeshme me një status në Facebook u shpreh se AAK-ja duhet ta shqyrtojë votimin e Konjufcës.

“Aleanca duhet ta shqyrtojë me përgjegjësi mundësinë e bashkëpunimit, sidomos nëse kjo hap rrugën për stabilitet institucional, shmang zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe zgjidh njëherë e mirë çështjen e presidentit. Nëse VV dhe Konjufca janë të sinqertë në këtë drejtim, unë besoj se Aleanca dhe kryetari Haradinaj do të dinë të marrin vendimin e duhur, si gjithmonë kur është fjala për të mirën e Kosovës”, kishte shkruar ai.

Por zëdhënësi i AAK-së ka thënë se këto ide do duhej të paraqiteshin fillimisht brenda strukturave të partisë në mbledhjen që u mbajt të enjten e ku Krasniqi kishte munguar.

“Kryesia e partisë të enjten ka dalë me qëndrim të qartë politik që rrugëdalja e vetme nga situata aktuale në vend janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të gjitha idetë dhe propozimet alternative duhej të paraqiteshin fillimisht brenda strukturave të partisë. Kjo vlen edhe për Besnik Krasniqin, i cili ka munguar në mbledhjen e Kryesisë”, ka thënë Xhemaili.

Konjufca u mandatua më 4 nëntor për formimin e qeverisë. Ai ka kohë edhe katër ditë për të tentuar sigurimin e 61 votave. Nëse dështon, shkohet automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Më 26 tetor, dështoi formimi i “Qeverisë Kurti 3”. Mori vetëm 56 vota.