Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nisur këtë të shtunë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Hapja u bë me intonimin e himnit të Kosovës dhe më pas atë të Shqipërisë.
Në këtë tubim partia prezantoi kandidatët për kryetarë komunash si dhe listat e asamblistëve që do të garojnë në këto zgjedhje.
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, e mori i pari fjalën, duke u shprehur i bindur se kandidatët e AAK-së në të gjitha komunat janë më të mirët. Ai ftoi të gjitha strukturat të punojnë fort për të korrur suksese në të gjitha komunat ku garojnë.
Më pas fjalën e mori kandidatja për kryetare të Fushë-Kosovës, Vildane Halili. Në fjalën e saj theksoi disa pika që i konsideron kryesore. Ajo tha se është rritur brenda Aleancës duke parë njerëz me sukses dhe duke kuptuar se puna e palodhshme dhe përkushtimi gjithmonë shpërblehen. Sipas saj, udhëheqja në Aleancë shihet si përgjegjësi dhe forcë që nuk e ka asnjë parti tjetër. Halili u shpreh se, si grua, ndihet jashtëzakonisht krenare për gjithçka që Aleanca ka arritur gjatë këtyre 10 vjetëve të angazhimit të saj.
Në fund, fjalën e pati kryetari i kësaj partia, Ramush Haradinaj.
“Jam shumë krenar me kolegët e mi. Është krenari të shohësh kolegë si Ardiani, i cili kur ka marrë detyrën, ka ngritur qeverisjen në një nivel të lartë. Kam disa fjalë për ju të gjithëve: pa ju nda, ju nuk jeni vetëm një parti politike. Ju jeni më shumë se kaq. Ju jepni shembull të qeverisjes së duhur, duke ndriçuar përmes punës suaj në komunat tuaja. Republika jonë kurrë nuk ka pasur kaq shumë nevojë për përkushtim. Po kalojmë ditë të errëta në vendin tonë, prandaj mos u ndalni. Punoni me përkushtim, sepse sytë janë nga ju”, ka thënë Haradinaj.
Aktualisht, AAK-ja udhëheq në pesë komuna: Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Klinë e Deçan.