A u nënçmua apo u “shit” kandidati për kryeministër, pasi që Grubi do ta bëjë këshilltar, Zyberin!

Shkruan, Bexhet Musliu, drejtor i Agjencisë së lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 9 shtator – Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet e fundit gjatë gjithë kohës kishte synuar se do të fitojë postin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Në marrëveshjen me LSDM-në për qeverinë e re, u morën vesh që kryeministri t’i takojë BDI-së në 100 ditët e përfundimit të mandatit të qeverisë. Por, së fundmi, me postimin e tij në rrjetet sociale, zv.kryeministri i parë, Artan Grubi ka njoftuar se Zyberi do të jetë një far lloj këshilltari i ministrisë që ai e drejton.

Grubi e bën “këshilltar” Zyberin!

Në rrjetin social Facebook, zv.kryeministri i parë, Artan Grubi ka njoftuar se ka pritur në zyrën e tij, Naser Zyberin, kandidatin për kryeministër.

“Sot takova frontmenin apartiak të fushatës dhe idesë së z.Ahmeti për barabarësi në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Naser Zyberi. Zyberi më premtoi se do të jetë i hapur për bashkëpunim dhe që të gjitha njohurit e tij do t’i vë në dispozicion të së mirës, funksionalizimit të ministrisë së re dhe perspektivës euro-atlantike të vendit”, kishte shkruar Grubi.

Ku mbet Naser Zyberi!

Ditëve të fundit është përfolur se kandidati për kryeministër shqiptar që garoi nën petkun e BDI-së, Naser Ziberi do të bëhet Avokat i Popullit.

Por, ky i fundit në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal ka theksuar se deri nuk ka qenë zyrtarisht i informuar për këtë dhe se asnjë subjekt nuk i ka ofruar një post të tillë.

Ndryshe, para disa ditëve deputeti nga radhët e koalicionit “tash është koha”, Skender Rexhepi tha se pozita e Avokatit të Popullit duhet t’i takojë opozitës, ashtu edhe siç tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

A u nënçmua apo u “shit” kandidati për kryeminstër!

Postimi i Grubit në rrjetet sociale është konsideruar si nënçmim i Zyberit dhe në opinion është konsideruar se ai e ka bërë këshilltarë kandidatin për kryeministër. Edhe pse zyrtarisht nuk ka ndonjë konfirmim se Zyberi do të jetë këshilltarë i Grubit, vetë sjellja e tij dhe shkrimi në rrjetet sociale ka diktuar këtë pozicion.

Dyshimet janë të mëdha se gjithçka po luhet me figurat e njerëzve me qëllim që ata të nënçmohen dhe të shkaktohen përçarje e pakënaqësi në BDI. Të tilla pakënaqësi veç se më janë shfaqur hapur dhe për këtë arsye, çdo lojë me figurat politike, ata të cilët kanë më shumë merita në grumbullimin e votave është e rrezikshme.

Dilema e madhe që shtrohet në opinion është se si është e mundur që Zyberi njëherë të bëhet këshilltarë i Grubit dhe pastaj të dalë në opinion si kryeministër, i cili duhet të jetë shef edhe i Grubit! Manipulimet janë mjaft të turpshme dhe të ulëta për një kryeministër të ardhshëm, i cili megjithatë do të duhej të paraqiste krenari të shqiptarëve të Maqedonisë, sepse për këtë ëndërr u derdh aq shumë djersë e gjak.

Zyberi publikisht duhet të dalë e të tregojë se cila është e ardhmja e tij, nëse mbetet Noter, ose është këshilltarë i Grubit ose do të jetë kryeministër i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut?

Nëse qëllimi ka qenë që vetëm të manipulohen votuesit se do kemi kryeministër dhe ai u publikua se do të jetë Naser Zyberi, atëherë duhet të dihet se pasojat janë shumë të rënda për vetë BDI-në. Kjo parti politike, duhet të mbetet serioze në qëndrimet e saja dhe mos të lejojë për të fituar pikë të ulëta politike të konsiderohet një kandidat për kryeministër, si këshilltarë i një ministri, sepse nënçmimi dhe zhgënjimi i popullit është shumë i madh, e kjo sigurisht do të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme.