A po kthehet në lojë “ministria e Byrekut”?

Shkruan: Albion Memeti

Derisa po paralajmëronte largimin e partisë së tij nga Qeveria e Zoran Zaevit, pesë vite më parë, kryetari i atëhershëm i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, duke ironizuar me situatën e krijuar nga pakënaqësitë brenda ekzekutivit për resorët, pati deklaruar se nga kryeministri i asaj kohe kishte kërkuar të krijonte “ministrinë e byrekut”.

Këtë propozim Sela ia kishte bërë Zaevit gjatë një takimi, në të cilin ish kryeministri i kishte propozuar ASH-së postin e zëvendëskryeministrit për zbatimin e reformave në këmbim të ministrisë së Shëndetësisë.

Ziadin Sela dhe partia e drejtuar nga ai, Aleanca për Shqiptarët, në vitin 2017, braktisën Qeverinë, pasi Zaevi shkeli marrëveshjen e koalicionimit dhe u’a mori drejtimin e ministrisë së Shëndetësisë, që në atë kohë udhëhiqej nga Arben Taravari, tani u.d kryetar i ASH-së.

Sela akuzonte BDI-në se qendron pas këtyre lojërave dhe propozonte që “ministria e byrekut” t’i dhurohej kuadrove të BDI-së.

Por, pesë vite më vonë sërish kthehet në lojë “ministria e byrekut” dhe për ironi të fatit, kjo ministri sërish mund t’i ofrohet Aleancës për Shqiptarët, por tani jo më në krye me Ziadin Selën, por me Arben Taravarin i cili prej para një muaji mori drejtimin e partisë.

Taravari në disa raste ka paralajmëruar se ASH-ja do ta shqyrtojë ofertën për hyrje në Qeveri.

Tani kur Qeveria ndodhet në “këmbë të qelqta” për shkak të pakënaqësive brenda BDI-së dhe pamundësisë për të mbajtur nën kontroll tre deputetët e “grupit të zjarrit”, kryeministri Dimitar Kovaçevski duket se po tenton të josh Aleancën për Shqiptarët, e cila ka tetë deputetë dhe do ta stabilizonte Qeverinë.

Burime tona flasin se zyrtarë të kësaj partie kanë pasur kontakte me përfaqësues të lartë të Qeverisë rreth mundësisë për përfshirjen e këtij subjekti në pushtetin qendror dhe se deklaratat e Taravarit nuk janë të rastësishme.

Dëshira për të përfshirë partinë e Taravarit në pushtet është e madhe edhe tek zyrtarët e BDI-së, që në këtë mënyrë tentojnë ta shuajnë zjarrin brenda partisë dhe të evitojnë kërcënimet nga “grupi i zjarrit” që bashkë me deputetët tjerë të pakënaqur mund ta rrezikojnë shumicën dhe Qeverinë.

Por, duke e pasur parasysh se kabineti qeveritar aktual përbëhet nga kuadro të shumë partive që mezi mbajnë “gjallë” qeverinë, vështirë është të spekulohet se cila ministri do t’i ishte ndarë Taravarit.

Mundësia e vetme është që të krijohet ndonjë ministri e re, si ajo për zbatimin e reformave që e kishte shpikur Zaevi para pesë viteve, e që Sela e quante “ministri të byrekut”.

Në ditët në vijim mbetet të shihet nëse Aleanca për Shqiptarët do ta stabilizojë Qeverinë dhe BDI-në duke u përfshirë në kabinetin e Kovaçevskit.

Nëse ASH-ja e Taravarit do ta pranonte ofertën e kryeministrit aktual, kjo situatë do të kthente këtë subjekt te “ministria e byrekut”, pesë vite pasi Ziadin Sela e kishte refuzuar atë, pikërisht për Taravarin.