A po ikën nga drejtësia? Përgjigjet Arafat Muaremi

Drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi në një prononcim përmes telefonit për TV21 ka përgënjeshtruar shkrimet në disa media online, se ai është në arrati. Muaremi tha se shkrimet e tilla po bëhen për të njollosur reputacionin e tij.

“Jo, nuk jam në arrati. Shkrimet e tilla janë dezinformata nga portale të afërta me opozitën”, deklaroi shkurt për TV21 Muaremi.

Ndryshe, në disa media online, mëngjesin e sotëm shkruhej se drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi ka shfrytëzuar pushimin vjetor për t’u arratisur nga Maqedonia e Veriut pas paralajmërimeve të Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit se do të ketë një aksion të madh.

Ditë më parë, emisioni “Kod” raportoi se Avokati i Shtetit ka ngritur kallëzime penale kundër prokurorëve Artan Ajro dhe Gavril Bubevski (ish prokurorë të Prokurorisë Speciale Publike), kundër Arafat Muaremi (ish-hetues në PSP dhe drejtor aktual i Policisë Financiare) dhe kundër të dënuarit Sead Koçan (pronar i Transmet-it dhe i dënuar në rastin Trust) për konfiskimin e parealizuar të Transmetit./TV21