A po i rehabiliton retorika e ambasadokracisë politikat e Ivo Andriqit, Millosheviqit dhe mikut të Edi Ramës, Vuçiqit?

Nga: Gëzim Mekuli

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde: “Ma mirë të zgjidhej trafiku në hyrje të Vushtrrisë sesa të ndërtohen dy ura mbi Ibër”.

Të nderuar lexuesë,

Një retorikë e tillë, e papjekur dhe me ngjyrim të qartë neokolonialist, na kujton mentalitetin përçmues ndaj popujve të kolonizuar, sikur Kosova të ishte një plantacion skllavësh diku në Afrikën e shekullit XIX.

Në vend që të shohë Kosovën si një shtet sovran me aspirata moderne e demokratike, z. ambasadori na ofron këshilla të tipit paternalist, duke na treguar se çfarë ura duhet apo s’duhet të ndërtojmë ne shqiptarët e Ballkanit.

Po ju pyes, z. ambasador: a është ndërtimi i urave çështje një-etnike, apo një proces i natyrshëm që lidh njerëzit, qytetet, kulturat dhe shtetin?

Pse ju pengojnë urat e Kosovës? Apo ndoshta ju pengon fakti që Republika jonë po ndërtohet si bashkësi politike, kulturore e demografike dhe nuk mbetet e varur nga këshillat bajate e koloniale?

Si gjerman që je, a e keni harruar përvojën e hidhur të ndarjes së Berlinit?

A keni harruar murin që ndau njerëz, familje e kombe, duke kthyer një qytet të madh në një simbol të dhunës politike?

ambasador,

A e keni harruar poshtërimin e pikave të kontrollit si “CheckPoint Charlie”, ku gjermanët ndiheshin të ndarë në dy botë armiqësore brendagjermane?

Ne shqiptarët e kemi ndjekur me dhimbje dhe solidaritet ndarjen e Gjermanisë. E kemi përjetuar sikur të ishte plagë e jona. Atëherë, pse ju, që përjetuat mbi kurriz ndarjen dhe izolimin, sot me fodullëk guxoni të luani me ardhmërinë dhe stabilitetin e Republikës sonë?

Kosova nuk ka nevojë për leksione të moçme nga askush që na sheh me sy përçmues.

Kosova ka nevojë për realpolitikë, për partneritet të ndershëm dhe për mbështetje konkrete në ndërtimin e shtetit modern.

E jo për “receta” mbi ura e “autobahna”, sikur këto të ishin dhurata e jo nevoja tona zhvillimore.

Prandaj, z. ambasador (me “a” të vogël, sepse respektin nuk e fiton me titull, por me qasje): Kërkoni falje!

Sepse kush ka jetuar me murin e Berlinit në oborr, nuk ka të drejtë morale të ngrejë mure në Kosovë, as në mendje, as në diskurs politik. PIKË!

Edhe diçka nga historia: politikat gjermane vranë e poqën mbi 55 milionë njerëz, dhe si pasojë e këtij gjenocidi e nazizmi edhe ndanë (padrejtësisht) një popull.

E shqiptarët çfarë të keqe bënë gjatë historisë që i ndatë, i përqatë dhe i grimcuat?