A po i përdor Kremlini politikanët çeçenë për të goditur dominimin në rritje të shefit të mercenarëve të Wagner?

Kremlini mund të jetë duke përdorur politikanët çeçenë për të diskredituar dhe minuar dominimin në rritje të liderit të grupit më të fuqishëm mercenar të Rusisë, ka thënë një institut.

Sipas mediave të huaja, kritika të rënda u drejtuan dje në drejtim të Yevgeny Prigozhin dhe ai mund të përballët me vështirësi që të mbetet me ndikim pasi trupat e tij “janë liruar” nga luftimi për një qytet kyç, Bakhmut, sipas Institutit për Studimin e Luftës.

Ai raportoi se një anëtar çeçen i parlamentit rus, Adam Delimkhanov, i tha Prigozhin të ndalonte “bërtitjet” për furnizimet me municione, duke e quajtur atë “bloger” dhe duke vënë në pikëpyetje aftësinë e tij ushtarake.

Ndërsa kryetari i parlamentit çeçen Magomed Daudov tha se Prigozhin do të ishte vrarë për kritikat e tij ndaj ushtrisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndërsa trupat e tij tërhiqen nga Bakhmut dhe zëvendësohen nga njësi të ndryshme ruse, Prigozhin “mund ta gjejë veten në një pozicion më të cenueshëm sesa kur Kremlini u mbështet në forcat e tij për të pushtuar qytetin”, vlerëson ISW.

Pavarësisht të gjithave, Prigozhin tha se do të vazhdojë të shprehë opinionet e tij derisa zyrtarët e ministrisë ruse të mbrojtjes të ndëshkohen për gabimet e tyre gjatë planifikimit të pushtimit.

Madje, kreu i kompanisë ushtarake private ruse Wagner, ditë më parë ka nisur një sulm tjetër në drejtim të Ministrisë Ruse të Mbrojtjes pas një sulmi të supozuar me dron në Moskë.

Shefi mercenar – i cili ka qenë i përfshirë në një grindje të ashpër publike me udhëheqjen ushtarake të Rusisë – tha se Ministria ruse e Mbrojtjes nuk po bën “absolutisht asgjë” për të ndjekur zhvillimet në teknologjinë e dronëve.