A po bashkohet Siria: Forcat shtetërore siriane dislokohen në qytetin e udhëhequr nga kurdët, Hasakah, sipas paktit të armëpushimit

Forcat qeveritare siriane të hënën u dislokuan në një qytet të kontrolluar nga kurdët në pjesën verilindore të Sirisë, si hap i parë drejt zbatimit të një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara e me të cilën parashihet që rajonet e drejtuara nga kurdët të bashkohen me Damaskun.

Marrëveshja e shpallur të premten i shmangu përleshjet e mëtejme mes qeverisë së presidentit Ahmed al-Sharaa dhe Forcave Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët dhe të cilat në janar humbën territore të mëdha në pjesët lindore e veriore të Sirisë gjatë përleshjeve me forcat qeveritare, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gazetarët e kësaj agjencie panë një autokolonë me më shumë se 30 automjete të Ministrisë së Brendshme që filluan të lëviznin drejt qytetit me etni të përziera, Hasakah, në pasditen e hershme. Burimet në qytet thanë se forcat qeveritare hynë në vendbanim pak më vonë.

Forcat qeveritare pritet të stacionohen në ndërtesa shtetërore siriane në të ashtuquajturën “zonë e sigurisë” në Hasakah, i thanë agjencisë “Reuters” para dislokimit një zyrtar sirian dhe një burim kurd i sigurisë.

Marrëveshja e shpallur të premten parasheh një integrim me faza të luftëtarëve kurdë brenda forcave qeveritare. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë pakt si hap historik drejt unitetit dhe pajtimit pas 14 vjetëve në luftë civile.

Më tej, në paktin e njoftuar të premten përfshihet formimi i një divizioni ushtarak që do të përfshirë tri brigada të Forcave Demokratike Siriane, shtuar një brigade për forcat në qytezën e mbajtur nga Forcat Demokratike Siriane, Kobani, të njohura edhe si Ain al-Arab, që do të jetë e lidhur me prefekturën e Aleppos, që kontrollohet nga shteti.