A përfundoi saga e zgjedhjeve në Kosovë?

Brenda vitit 2025, qytetarët e Kosovës iu drejtuan kutive të votimit plot katër herë.

Por, me nisjen e vitit të ri 2026, shtrohet pyetja nëse vendi do të shkojë sërish në zgjedhje, apo nëse saga zgjedhore më në fund ka marrë fund.

Lidhur me këtë çështje, opinionistja Aida Dërguti ka deklaruar në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova se situata aktuale politike krijon mundësi për funksionalizim të institucioneve.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 57 deputetë dhe me një koalicion të thjeshtë me dhjetë deputetë nga komunitetet jo-shumicë, arrihet numri 67, i mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

“Jemi në një situatë të re ku nuk ka problem në performimin e institucioneve deri te çështja e presidentit, për të cilën kërkohet kuorum prej dy të tretave. Kjo mbetet çështje që duhet parë se si do të zhvillohet tutje”, tha ajo.

Në anën tjetër, analisti politik Azdren Shala vlerëson se vendi duhet të shkojë sërish në zgjedhje.

“Partitë politike e kqyrin atë që atyre u leverdis, jo interesin e vendit. Nëse partitë politike përnjëmend e kanë shqetësim interesin e vendit dhe nëse interesi shtetëror është mbi atë të partisë, atëherë është e domosdoshme që vendi të shkojë në zgjedhje në prill”, deklaroi Shala./Klankosova.tv