A mund të nxisë LPK-ja tensione ndërfetare, për të shpëtuar nga Gjykata Speciale?

Fejzi HAJDARI

Kur i është djegur dhelprës bishti, ka thënë: “u kall gjithë dynjaja”!. Kështu po sillen edhe ish udhëheqësit e LPK-së, tani kur po dyshohen nga Gjykata Speciale. Dyshimet e Gjykatës Speciale ndaj tyre i quajnë dyshim dhe dënim të gjithë luftës së UÇK-së, të gjithë shqiptarëve, e madje edhe të faktorit ndërkombëtar që ndihmoi Kosovën të çliohet nga okupimi serb.
Kështu do të thonë edhe nëse dënohen. Do të thonë se u dënua lufta e drejtë e UÇK-së, u dënuan shqiptarët dhe u dënua faktori ndërkombëtar.
Megjithatë, ata po e vërejnë qartë se sqarimeve të tyre nuk po u besojnë as të punësuarit në ndërmarrjet publike që i nxjerrin me zor t’i presin në kufi, dhe se shqiptarët nuk po solidarizohen me ta siç kanë pritur. Shyqyr që është kështu! (Fajin duhet ta kërkojnë tek vetvetja dhe tek pasuritë multimilionëshe që i kanë krijuar, e jo tek shqiptarët e Kosovës që shumë prej tyre përballen me probleme ekzistenciale).
Mirëpo, përballë këtij realiteti parashtrohet dilema: A janë të rastësishme protestat “pro” dhe “kundër” Xhamisë së Madhe, në Prishtinë? A mund të shkaktojë LPK-ja tensione në Kosovë, duke përfshirë edhe ato ndërfetare mes shqiptarëve? Nuk përjashtohet kjo mundësi. Vetë mund të shkaktojnë tensione, vetë i zgjidhin dhe në fund të dalin shpëtimtarë, duke i dërguar porosi faktorit ndërkombëtar se “ne e menaxhojmë situatën, e nëse na dënoni mund të dalë prej kontrolli”.
Tek ne, në Maqedoni, jo rrallëherë kanë ndodhur tensione dhe incidente ndëretnike kur kanë qenë në zor (në hall të madh), LPK-istët e këtushëm dhe partnerët e tyre maqedonas. Incidentet dhe tensionet, çdo herë (çuditërisht) zhdukeshin sapo kalonte zori i strukturave të LPK-së. Kështu po më duken mua edhe zhvillimet e sotme në Prishtinë. Dhashtë Zoti, të jem gabim!