
Çmimi prestigjioz Nobel për Paqe do të shpallet sot, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump dhe administrata e tij kanë bërë të ditur disa herë se ai e meriton këtë çmim. Por a është e vërtetë që ai do ta marrë?
Donald Trump prej vitesh pretendon se ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndalimin e disa konflikteve ushtarake. Gjatë një takimi në gusht me udhëheqës të Ukrainës dhe Evropës, ai tha se ka përfunduar “shtatë luftëra”. Në një intervistë me Fox News, ai e përsëriti këtë pretendim, duke thënë se askush nuk ka bërë diçka të ngjashme me të.
Ekspertët e sigurisë thonë se këto pretendime janë të ekzagjeruara. Dr. Samir Puri nga Chatham House shpjegon se ka një dallim të madh mes ndalimit të përkohshëm të luftës dhe zgjidhjes së problemeve themelore që shkaktojnë konfliktin.
Ai thotë se ndërhyrjet e Trump-it shpesh janë më shumë menaxhim konflikti sesa zgjidhje e vërtetë.
Afati për nominime për çmimin e këtij viti ishte më 31 janar 2025. Gjatë dy mandateve të tij si president, Trump është nominuar më shumë se 10 herë nga figura të ndryshme politike, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministrin e Kamboxhias Hun Manet, një politikan ukrainas, si dhe ligjvënës nga SHBA, Suedia dhe Norvegjia.
Megjithatë, një nominim nuk do të thotë automatikisht se dikush do të jetë kandidat për çmimin, pasi Komiteti Nobel nuk publikon listën e kandidatëve para shpalljes së fituesit. Këtë vit janë nominuar 338 kandidatë, prej të cilëve 244 janë individë dhe 94 organizata.
Nuk dihet nëse nominimet për Trump janë bërë para afatit të janarit. Por Netanyahu e nominoi publikisht në korrik, duke thënë se Trump “po ndërton paqe një vend pas tjetrit”.
Megjithëse Trump ka bërë fushatë për të fituar këtë çmim prej vitesh, ekspertët janë skeptikë për mundësinë reale që ai ta marrë këtë vit. Shpesh herë çmimi jepet për arritje konkrete në paqe dhe pajtim, ndërsa pretendimet e Trump mbeten të debatueshme.