A mund ta rrezikojnë Qeverinë Zaev 2 përçarjet në BDI? (Video)

LAJM: Lideri i BDI-së mohoi zërat për përçarje brenda BDI-së mes Izet Mexhitit, Blerim Bexhetit dhe Musa Xhaferi në njërën anë dhe Artan Grubit e Bujar Osmanit në anën tjetër. Por, vetë Mexhiti nuk ka mohuar se mund të inicojë interpelancë kundër Grubit dhe Osmanit. A mundet përcarjet brenda BDI-së të rrezikojnë Qeverinë Zaev 2, e cila ka një shumicë të ngushtë prej vetëm 62 deputetësh?

Naim Sinani: Jo! Sepse realisht mosmarrëveshjet në BDI ekzistojnë por ato në asnjë moment nuk kanë shprehur ndonjë pakënaqësi lidhur me funksionimin e Qeverisë. Pra, gjithë kjo që po ndodh brenda BDI-së është një luftë brenda partiake për pozicionim të individëve, megjithatë nuk shohim diçka konkrete në kuptimin e asaj që një grupacion i caktuar ka mospajtime për mënyrën se si menaxhohet pandemia apo ndonjë kërkesë tjetër që ka të bëjë me pozitën e shqiptarëve. Pra, gjithë ajo që vlon brenda BDI-së është kryesisht për pozicionet të individëve.

LAJM: Para formimit të qeverisë pati zëra se Izet Mexhiti dhe dy deputetë tjerë nuk do ta votojnë të njejtën por kjo nuk doli e vërtetë. A mund të jenë të kurdisura këto zënka brenda partiake nga protagonistët për efekt publiciteti?

Naim Sinani: Në një farë forme kjo mund të shihet edhe si një taktikë e BDI-së për ta mbajtur vëmendjen e opinionit tek ata dhe në një farë forme për ta lënë nën hije opozitën shqiptare sepse në një farë mënyrë ata me këto zënka të inskenuara po e marrin vëmendjen e opinionit dhe të asaj hapsire që do të duhej t’i takonte opozitës shqiptare.

LAJM: A prisni të ketë interpelancë apo Ahmeti sërish do të arrijë ti amortizojë pakënaqësitë dhe nëse janë të vërteta këto përçarje, kush mund të jetë “kurbani” i tyre?

Naim Sinani: Duke e pasur parasysh se afrohen edhe zgjedhjet lokale dhe këto mospajtimet partiake mund të shihen edhe si një tendencë për pozicionim të grupacioneve të caktuara brenda BDI-së për të pasur kandidatët e tyre në zgjedhjet lokale, por besoj lideri i BDI-së do të arrijë që sërish të gjejë një kompromis mes grupeve siç ka ndodhur në të kaluarën sepse mospajtimet brenda BDI-së kanë ekzistuar ndër vite, por lideri i BDI-së ka arritur të bëjë balans mes grupeve dhe të vazhdojë të dominojë në skenën politike shqiptare në Maqedoni, pavarësisht se ndodnjëherë ndonjë grupacion ka mbetur i pakënaqur siç është rasti me grupin për të cilin thuhet që e drejton Izet Mexhiti.