A kushton një “rampë” më shumë se jeta e qytetarëve – pyesin banorët e fshatit Rramanli të Kumanovës

A kushton një tra më tepër se jeta e qytetarëve? Kjo është pyetja që banorët e fshatit Rramanli e kanë adresuar në NP “Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura” një ditë pas aksidentit tragjik ku treni shtypi makinën.

Në mbledhjen e sotme autoritetet u kanë premtuar banorëve ndërtimin e një nënkalimi në vendin ku u aksidentuan dy vëllezërit një ditë më parë. Për këtë projekt nga “Hekurudhat e Maqedonisë” thonë se presin donacion.

“Në planin e dytë të kryqëzimeve duhet të bëhet dhe nivelimi i këtyre kalimeve dhe pikërisht ai vend në Rramanli duhet të bëhet mbikalim i hekurudhës për trenin. Në Rramanli me de-nivelizimin parashihet që dy trarë të hiqen nga plani dhe të devijohet hekurudha, kështu që nuk ka nevojë për tra, rruga do kaloj nën hekurudhë”, tha Boro Radevski, Ndihmësdrejtor i NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”.

Banorët pezulluan protestën e paralajmëruar pas premtimeve për zgjidhjen e problemit nga ana e Ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë”. Për nesër kanë paralajmëruar takim edhe me kreun e Kumanovës, ndërsa ndihmë kërkojnë edhe nga deputetët e zonës.

Për kërkesën që ka të bëjë me vendosjen e trarëve, nga NP “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” thonë se vendosja e trarëve bëhet vetëm në kryqëzimet ku ka frekuentim të lartë të automjeteve dhe këmbësorëve. Thonë se vendbanimet si Rramanlia dhe disa të tjera, nuk i përmbushin kushtet për vendosje të trarëve. Premtojnë që do të rinovojnë sinjalistikën me drita dhe altoparlantë.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë se kalimi i hekurudhës është udhëkryq kur ka semafor me ngjyrë të kuqe duhet të ndaleni. Në 100% e fatkeqësive që kanë ndodhur në mes binarëve, fajtorë kanë qenë vozitësit e automjeteve apo kalimtarët, të cilët nuk kanë respektuar sinjalizimin”, tha tutje Radevski.

Në 700 kilometra hekurudhë sa posedon vendi, janë të vendosura 94 trarë, 134 kryqëzime të tjera janë vetëm me sinjalizim, ndërsa vetëm 10 pika më të frekuentuara posedojnë edhe shërbime të rojtarëve. Për tu ndalur një tren i duhet së paku 900 metra frenim i plotë, andaj mos ndalja gjatë kalimit është rrezik që t’ju përplas lokomotiva.

Dy vëllezërit nga Rramanlia ishin me fat që shpëtuan vetëm me lëndime trupore, dhe të njëjtit po trajtohen në spital. Në dy vitet e fundit mbi 45 aksidente tragjike u shënuan nga kryqëzimet e hekurudhave, 6 prej të cilave me fatalitet./ Alsat.mk