A kanë të drejtë morale të kërkojnë dorëheqjen e Selës dhe Gashit, ata që nuk kërkuan dorëheqjen e Ahmetit kur ndodhi “Lagja e Trimave”?

Nuhi Bexheti
BDI-ja nuk është rehat. Këndej thonë fituam zgjedhjet dhe jemi çelësi i qeverisë, këndej assesi nuk mund të bëhen rehat.
Sipas mendimit tim, nuk mund të bëhen rehat nga fakti se gjithë opinionin e ka të qartë që BDI zgjedhjet nuk i fitoi me votat e shqiptarëve, por me ndihmën e hakerëve rusë që sulmuan ueb faqen e KSHZ-së. Nuk mund të bëhen rehat sepse tani duhet të luten për të hy në qeveri, duke hequr dorë nga të gjitha fjalët e mëdha që i kanë thënë deri dje, përfshi edhe “kryeministrin”.
Dhe nga parehatia që kanë, nuk dinë ku të kapen, por vazhdimisht kapen herë te Zijadin Sela, e herë te Afrim Gashi, duke kërkuar dorëheqjen e tyre.
Të kuptohemi: Kërkesat për dorëheqje e për tërheqje pas proceseve zgjedhore nuk janë asgjë e re dhe nuk janë asgjë tragjike. Kanë ndodhur në të kaluarën, do të ndodhin edhe në të ardhmen. Andaj edhe tekstet që i plasojnë ku herë kërkohet dorëheqja e Selës, e herë e Gashit, duhet të kuptohen në këtyë drejtim.
Mirëpo duhet pasur të qartë një gjë. Edhe nëse Zijadin Sela dhe Afrim Gashi vërtet kanë humbur zgjedhjet, (që unë si shumë shqiptarë dyshoj sepse vërehet qartë vjedhja zgjedhore), parashtrohet pyetja kush ka dhe kush nuk ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen e tyre.
Dorëheqjen e tyre përfundimisht nuk kanë të drejtë ta kërkojnë ata që nuk kërkuan dorëheqje të Ali Ahmeti nga kreu i BDI-së kur ndodhi rasti i Sopotit. As ata që heshtën kur ndodhi rasti i Radushës, rasti Monstra, ose Lagja e Trimave.
Ndoshta dikush politikën në Maqedoni e konsideron si tifozeri dhe rëndësi i jep vetëm rezultatit, mirëpo në botën e civilizuar nuk është ashtu. Në botën e civilizuar dorëheqje ndodhin edhe kur tatimi rritet për 0.2 për qind më shumë se që është premtuar në fushatë zgjedhore. Të mos flasim kur ndodhin raste tragjike, siç ishin ato që i përmenda më lart. Në raste të tilla dorëheqjet jepen menjëherë, e as që pritet t’i kërkojë opinioni, gjë që nuk e bëri asnjëherë z. Ali Ahmeti edhe pse gjatë qeverisjes së tij ndodhën shumë raste të përgjakshme me viktima shqiptare.
Prandaj ju që heshtët në dhjetëra rastet kur duhej të japë dorëheqje Ahmeti, nuk keni të drejtë tani të kapeni as te Ziadini e as te Afrimi. Rastin tuaj për të treguar që keni parime në kërkimin e dorëheqjeve do ta keni kur BDI dhe Ali Ameti do të tërhiqen nga kërkesa për kryeministër shqiptar.