Krizë ekonomike, shëndetësore, energjetike, globale. Gjeneratat e reja thuajse as nuk e mbajnë mend periudhë kur në vendin tonë nuk ka pasur ndonjë krizë, qoftë të brendshme ose të jashtme. Shpeshherë në përpjekje që të zgjidhet ngërçi për avancimin dhe funksionimin e shtetit janë organizuar zgjedhje të parakohshme. Pikërisht këtë e kërkon VMRO-DPMNE-ja edhe tani. Për shkak të, siç thonë, sjelljes së ligjeve të dëmshme, kanë vendosur ta bllokojnë punën e Kuvendit. Lideri i partisë, Mickoski bën thirrje për takim liderësh me kryeministrin Kovaçevski, ku, mes pikave të tjera në rendin e ditës, do të jetë edhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Por, a ka nevojë për diçka të tillë në kushte kur për shkak të pushtimit rus në Ukrainë, e gjithë Evropa është në pasiguri dhe parashihet se do ta kemi dimrin më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk e them vetëm mendimin tim, por mendimin e më shumë njerëzve, e shohin sikur të digjet shtëpia, e ne duam të bëjmë dasmë. Kështu e ndjejnë njerëzit këtë. Domethënë, gjithçka po digjet, e dikush kërkon të shpenzojmë edhe më shumë para, edhe pse asgjë nuk do të ndryshojë. Ndoshta do të ndryshojë vetëm timonieri, ndoshta do të bëhet vetëm më keq, kush e di…”, deklaroi Mersel Bilalli, analist.
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe i Arsimit, Nikolla Todorov i cili në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, disa herë ushtronte detyrën shef i shtabit zgjedhor të partisë, thotë se zgjedhjet ndoshta do ta ndërrojnë pushtetin, por nuk do t’i jepte fund krizës. Bëhet fjalë për një krizë botërore dhe nuk varet shumë prej nesh, thekson ai, duke shtuar se puna e opozitës është të kritikojë dhe të kërkojë zgjedhje. Megjithatë, porosit se votuesit e VMRO-DPMNE-së janë mësuar me një sjellje të ndryshe nga partia e tyre.
“Nuk them se VMRO-DPMNE-ja duhet të jetë letargjike dhe të mos ndërmarrë asgjë, unë po them se duhet të bëjë diçka. Vetëm nuk pajtohem me mënyrën, me metodat përmes të cilave e bën atë. Unë vlerësoj se është më mirë që pushteti të shtyhet që të punojë, të prezantojë mënyrë të re të veprimit. Për arsye se, shikoni bllokadën e Parlamentit. Edhe LSDM-ja bënte bllokadë. Çka është ndryshe, çka është e re? Çfarë është ajo që nuk kemi parë deri tani? A erdhi LSDM-ja në pushtet për shkak të bllokadës së Kuvendit që po e bënte? Jo, ata humbën në zgjedhjet e 2016-tës, nuk fituan”, tha Nikolla Todorov, ish ministër i Shëndetësisë.
Todorovi dhe Bilalli janë unanimë se të gjithë aktorët politikë për momentin duhet të punojnë bashkërisht në drejtim të tejkalimit të të gjitha sfidave me të cilat përballet vendi, me qëllim që kriza të kapërcehet sa më lehtë. Nga ana tjetër, kryeministri Kovaçevski disa herë përsëriti se aktualisht zgjedhjet nuk janë opsion.