Arbër Salimi
Për herë të parë në Maqedoni u mbajtën zgjedhje në të cilat vetëm tri parti politike kanë komisionerë zgjedhorë nëpër vendvotime. Çdo herë komisionerët kanë qenë nga radhët e katër partive- dy shqiptare, dy maqedonase. Kësaj radhe prej partive shqiptare komisionerë kishte vetëm BDI-ja, kurse te maqedonasit si zakonisht LSDM dhe VMRO-DPMNE. Parti e katërt nuk u caktua. U bë përjashtim për herë të parë.
Nga kakarisjet e poltronëve, të cilët kanë zaptuar hapësirën e plotë debatuese duke u vardisur për poste (do të dëshpërohen shumë shpejtë kur do t’ua marrin postet Llazar Elenovskat), është vështirë të zhvillohet debat normal, së paku deri në fund të kësaj jave. Mirëpo sado që mungon kjo hapësirë për debat normal, një dyshim që qarkullon gjithandej ku ekziston një minimum i logjikës së shëndoshë shqiptare: A ishte një epërsi e madhe për BDI-në mbajtja e zgjedhjeve pa komisionerë për koalicionin ASH-AAA? Sigurisht që po! Përndryshe ligji nuk do të bëhej i tillë siç është, që në komisione të kenë përfaqësues nga katër parti.
Dyshim tjetër është se, pse çdo herë, kur BDI-ja është në rrezik të humbë, bëhet ndonjë përjashtim, ndonjë risi, precedent, siç ishte përjashtimi me komisionerët? Nuk respektohen rregullat, nuk respektohet kushtetuta, nuk respektohet ligji. Suspendohet shteti nëse ka nevojë, vetëm të krijohen kushte që BDI-ja të mbijetojë.
Ja përgjigja. (Është pak e gjatë dhe shpresoj se do të keni durimin ta lexoni deri në fund). Edhe dje u përsërit dukuria e pahijshme që fitorja e BDI-së të festohet nga huliganë-kriminelë me krisma armësh në Shkup (krisën në Çair, kurse në qendër të Shkupit ishin shumë të kulturuar, që do të thotë se nuk janë budallenj, por dinë t’i respektojnë kufijtë që dikush ua ka vizatuar ku mund të jenë kriminelë, e ku duhet të jenë të edukuar).
Sërish i dhanë një argument të fuqishëm ekstremistëve maqedonas që vazhdimisht para para faktorit ndërkombëtar mundohen të na njollosin si popull të prapambetur. Domethënë ata i shërbejnë dyfish ekstremistëve maqedonas: edhe janë të dëgjueshëm në pushtet edhe u japin argumente për të na njollosur.
Por shërbimi i tyre ndaj politikave antishqiptare nuk mbaron me kaq. Po të mos ketë kriminelë që festojnë me armë, e që tolerohen nga policia, shqiptarët nuk do ikin nga vendlindja. E ikja e shqiptarëve nga vendlindja si duket është interesi mbipartiak i sistemit të politikave antishqiptare që po shihet që ende kontrollojnë pjesë të rëndësishme të sistemit në Maqedoninë e Veriut. Dhe deri sa BDI është subjekti që i garanton këtij sistemi ikje masovike të rinisë shqiptare, ai sistem maqedonas do të vendosë të gjitha resurset në shërbim të fitores së BDI-së. Nuk do të respektohen as ligjet, as kushtetuta, as rregullat, vetëm që t’i hapen dyert politikës e cila i largon shqiptarët nga vendlindja.
Shqiptarët kësaj radhe treguan trimëri të madhe, heroizëm të paparë, duke i dhënë goditje sistemit që dëshiron t’i blejë për pesë parë dhe t’i largojë nga vendlindja. Meqë bashkëpunon edhe me shqiptarë, ky sistem sërish doli në epërsi të vogël, mirëpo është e qartë se resurset e tij dhe të bashkëpunëtorëve që kanë, janë duke u shterur dhe se në të ardhmen do të kenë mundësi më të kufizuara të ndikojnë te vullneti i shqiptarëve.