A i ka pushtetit votat e nevojshme në Kuvend për t’i votuar ndryshimet e Ligjin për kundërvajtje, ku përfshihet edhe sistemi “Safe City”?!
Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski kritikoi opozitën LSDM dhe BDI për qasjen e tyre, duke shprehur shpresën se do të reflektojnë dhe do të mbështesin zgjidhjet ligjore, veçanërisht ato që kërkojnë shumicë prej dy të tretash, sipas premtimeve të dhëna në takimin e liderëve.
Po kryetari i LSDM-së Venko Filipçe tha se ligji do ta ketë mbështetjen e tyre, mirëpo kanë dy çështje të cilat do t’i parashtrojnë në Kuvend.
“Lidhur me ligjin, dua të bëj një dallim të qartë midis dy gjërave. Së pari, mbështetja jonë që do të ketë ky ligj nga aspekti i sigurisë në trafik, kjo është diçka që është e nevojshme në Shkup në të gjitha qytetet e mëdha dhe kudo në rrugët e vendit. Por ka dy aspekte shumë të rëndësishme për të cilat pushteti nuk po përgjigjet. Së pari, çfarë do të ndodhë me sasinë e madhe të të dhënave që gjeneron ky sistem, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE është e njohur për abuzimin me të dhëna të tilla, dhe e dyta është shuma e gjobave. Shuma e dënimeve është diçka e rëndësishme që duhet të bisedohet dhe këto dy pyetje do t’i ngremë në Kuvend”, thotë Filipçe.
Pas akuzave të opozitës se nuk ka siguri të të dhënave si dhe për mbikëqyrjen me kamera, dje kryeministri Hristijan Mickoski tha se në Qeveri kanë biseduar për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve dhe se kjo do të rregullohet gradualisht.
“Duhet të kemi protokolle, për shumë gjëra duhet të kemi protokolle, e biseduam këtë dje. Shumë gjëra gjatë implementimit do ta ndjejmë se mungojnë; në fakt, askush nuk ka qenë i përsosur 100% menjëherë kur e zbatoi këtë projekt. Logjike është që në 3 deri 6 muajt e ardhshëm të kemi disa përshtatje, por po e përsëris, më bën të lumtur fakti që aspekti human i këtij projekti e kemi arritur, dhe ai është më pak viktima si rezultat i aksidenteve rrugore”, deklaroi Mickoski.
Se a do t’i japin mbështetje këtyre ndryshimeve ligjore në Kuvend, TV21 pyeti edhe BDI-në, por nga atje pa përgjigje – vetëm na thanë se për këtë temë nesër do të dalin me qëndrim.
Përndryshe për miratimin e këtyre ndryshimeve duhet shumicë prej 2/3-tash, pra 80 vota deputetësh.



