“A doni që unë të shkoj të notoj?”, Trump shkakon reagime të ashpra pas komenteve sarkastike mbi tragjedinë në Uashington

Donald Trump iu përgjigj me sarkazëm pyetjeve nëse ai do të vizitonte vendin e përplasjes vdekjeprurëse mbi lumin Potomac në Uashington, duke pyetur gazetarët: “A doni që unë të shkoj të notoj?”

Presidenti tha të enjten se do të takohej me disa nga familjet e viktimave të tragjedisë, e cila ndodhi në aeroportin Ronald Reagan të mërkurën mbrëma.

Të 67 personat e përfshirë në aksident supozohen të kenë vdekur, thanë autoritetet më parë.

Ndërsa kur u pyet për planet e tij për të vizituar vendin e rrëzimit, ai u përgjigj: “Kam një plan për të vizituar, por jo vendin. Dëshironi që të shkoj të notoj?”

Përdoruesit e rrjeteve sociale ishin të shpejtë për të dënuar komentet e presidentit.

“67 njerëz vdesin dhe ai bën shaka? I pashpirt”, shkroi një përdorues.

“Ne jemi një vend kaq joserioz ndonjëherë”, shtoi një tjetër.

Bëhet e ditur se komentet e presidentit erdhën pasi ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që titullohet “Vlerësimi i menjëhershëm i sigurisë së aviacionit”.

“Ne duam njerëz më kompetentë”, tha Trump.

“Nuk na intereson se çfarë race janë ata. Ne duam njerëz më kompetentë, veçanërisht në ato pozicione”, shtoi ai.