A do të vazhdohet Bulevardi “Bllagoja Toska”? Kasami thotë duhet projekt dhe sigurim i mjeteve financiare

Pjesa e shumëpritur e bulevardit “Bllagoja Toska” në Tetovë u lëshua në përdorim, por për vazhdimin e të njëjtit duhet projekt tjetër, pasiqë komuna e Tetovës nuk e ka një projekt të detajuar dhe nuk e di sa do të kushtonte që “Bllagoja Toska” të lidhet me bulevardin “Ilinden”. Kryetar i Tetovës Bilall Kasami u shpreh se fillimisht duhet të porositet një projekt për të parë vlerën e më pas të gjenden mjetet për ta vazhduar rrugën.

“Jo për momentin atë e folëm edhe me bashkëpunëtorët që kam, pasi që informatat që i kam, ka projekt themelor, duhet të porosisim një elaborat për eksproprijimi, të bëjmë një konstruksion financiar të shohim sa do kushtojë eksproprijimi i këtij projekti dhe të shohim fonde që do të vazhdojmë realizimin e këtij projekti”, tha Bilall Kasami, kryetari i Komunës së Tetovës.

Tetovarët nga ana tjetër presin që ky bulevard të vazhdohet. Thonë se komuna duhet të investojë në infrastrukturë pasi që vetëm kështu mund të lehtësohet trafiku.

“Padyshim unë mendoj se bulevardi duhet të hapet deri tek bulevardi “Ilinden” dhe nëse nuk mundet deri atje së paku deri tek kthesa e parë, për të ulur tensionin në komunikacionin dhe do ishte në të mirë të popullatës. Ne jemi mirënjohës të gjithë faktorët që japin qofshin ati të pushtit qendror ose lokal edhe pa dyshim kjo është në të mirë të qytetarëve”.

“Të gjithë duhet të behën, rrugët të hapen, fabrika të çelen e sheh se mbetëm pa rini. Rinia na iku”.

“ Mirë do ishte nëse ka vend deri atje të hapet nëse nuk, ka kjo është”.

“Po duhet të vazhdohet, pse mos vazhdohet, aty bëhet një bulevard më i mirë s’ka ku shkon pse mos të vazhdohet”.

Bulevardi “Bllagoja Toska” u lëshua para tre ditësh nga kryetra i komunës së Tetovës. Gjatësia e kësaj pjese është pothuajse 1 kilometër , ndërsa hapja e këtij bulevardi ka për qëllim që ta lidh bulevardin e “Ilinden” me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, por tash e 20 vite hapja e të njëjtit është duke u zvarritur shkaku i mjeteve financiare.