A do të japë dorëheqje nesër Konjufca? – Flasin nga Vetëvendosja

Pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, anëtarja e Kryesisë Abërie Nagavci tha për KosovaPress se Blerim Reka do të jetë pjesë e kabinetit të qeverisë Kurti, por nuk ka dashur të komentojë nëse Glauk Konjufca do të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit, pas marrëveshjes për koalicion qeverisës me LDK-në.

Sipas saj, postet ministrore të propozuar nga LVV tashmë dihen, dhe janë ata të cilët janë përmendur nga Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë.

“Janë ato që janë bërë të ditura deri më tani, emrat e propozuar prej Lëvizjes janë ata të cilët tashmë publiku i dinë. Kurti i ka bërë këta emra të ditur ka kohë. Blerim Reka do të vazhdojë të jetë pjesë e kabinetit të Kurtit”, tha ajo.

E pyetur nëse Glauk Konjufca do të japë dorëheqje në seancën plenare për votimin e formimit të qeverisë, ajo tha se mbetet të shihet nesër.

“Do të shihni nesër. Konjufca ashtu sikur deri më sot do të jetë në përfaqësim të qytetarëve edhe në shërbimin më të mirë në secilën detyrë që merr përsipër”, ka thënë Nagavci.

Nga selia e Lëvizjes Vetëvendosje është parë duke dalë Blerim Reka, por ai nuk ka dashur të flasë para kamerës.

Më herët është përfolur se Ministria e Punëve të Jashtme do të jetë Glauk Konjufca, Ministria e Drejtësisë do të drejtohet nga Albulena Haxhiu, Ministria e Financave – Besnik Bislimi, Ministria e Ekonomisë – Rozeta Hajdari, Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia dhe Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka.

Vetëvendosje dhe LDK, pas katër muaj negociata, kanë arritur marrëveshjen për formimin e koalicionit qeverisës.

Sot baza e Lëvizjes Vetëvendosje! votoi për koalicionin e kësaj partie me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me 95.99 për qind pro dhe 3.64 për qind kundër, derisa votime të pavlefshme janë 0.37 për qind.

Nesër do të mbahet seanca e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, në të cilin do të votohet për formimin e Qeverisë Kurti.