A do të investohet në Kodrën e Diellit?

Shkruan: Fitim NUHIU

Të dielën që lamë pas, drejtori i Qendrës së Skijimit në Kodrën e Diellit, z. Gani Aliji, njoftoi zyrtarisht se filloi sezoni i ri i skijimit. Sipas tij, të gjithë ashensorët e skive janë funksionalë, me përjashtim të atij në Cerepashinë, i cili përkohësisht është jashtë funksionit për shkak të erërave të forta. Ai theksoi se ky ashensor do të vihet sërish në përdorim sapo të përmirësohen kushtet atmosferike.

Nga ana tjetër, derisa sezoni sapo ka filluar, qytetarët (në rrjetet sociale) ankohen për rrugë të bllokuara. Pritje prej 30 deri 40 minuta rrugës për në Kodrën e Diellit e kështu me radhë.

* * *

Kryeministri Hristijan Mickoski gjatë lutjeve në Manastirin te Kodra e Diellit që kishte mëngjesin e datës 5 janar të këtij vitit, theksoi se:

“Jemi afër një marrëveshjeje që një investitor i huaj të investon në Kodër të Diellit bashkë me Qeverinë, investim ky nëse ndodh, Kodrën e Diellit do ta shndërrojë në një nga destinacionet më të kërkuara dimërore në Evropë. Kemi për qëllim që në afat të shkurtër të sjellim investitor që do të investojë, bashkë me shtetin, kuptohet. Dhe do ta bëjë atë që për të gjithë ne paraqet ëndërr dhe qëllim, që Kodra e Diellit të bëhet qendra më e bukur dimërore në këtë pjesë të Evropës. Që do të jetojë 365 ditë në vit, e jo vetëm disa muaj gjatë sezonit dimëror. Kodra e Diellit, sipas mundësive që ofron, nëse krahasohet me qendrat më të mira të turizmit dimëror në Alpe, ka për 10 km më shumë mundësi për ndërtim të shtigjeve për skijim. Nga Aeroporti Ndërkombëtar, për 45 minuta, ju jeni me këpucë të skive në shtigje. Disa muaj në dimër kemi borë natyrale.” – deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

U përmendën edhe vikend-shtëpizat që janë ndërtuar pa leje që nuk do ta kenë mundësinë e legalizimit, pasi kryeministri Mickoski ishte i prerë se nuk do të sjellim ligj për legalizimin e të njëjtave.

Por sa janë të realizueshme këto deklarata të kryeministrit Hristijan Mickoski për investime “grandioze” në Kodrën e Diellit mbetet të shihen në ditët në vazhdim, porse të dhëna konkrete, kontrata të nënshkruara, shuma e investimit, afati i zbatimit, etj, nga ana e qeverisë nuk kemi, kështu që mbetemi ende te pjesa e premtimeve dhe shpresave tona qytetare nëse mund të realizohet një gjë e tillë kaq e mirëpritur për të gjithë qytetarët e republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe jo vetëm, por edhe për qytetarët e tjerë të shteteve fqinje, si vizitues dhe turistë më të afërt.

Në momentin që po flasim, Kodra e Diellit vazhdon të përballet me infrastrukturë të amortizuar, menaxhim të dështuar dhe mungesë totale të investimeve bazike, ndërsa institucionet përkatëse nuk kanë publikuar ndonjë plan zhvillimi apo studim fizibiliteti.

Përvoja e mëparshme e qeverive të kaluara, që nuk përmenden investitorë me emër dhe mbiemër e bën të arsyeshëm skepticizmin publik qytetarë, duke përfunduar në premtime boshe se sa në projekte të vërteta zhvillimore.

“Po bisedohet me investitorë seriozë” është fraza që po na përsëritet zakonisht.  Z. Mickoski nuk prezantoi as emrin zyrtar të investitorit, as vlerën e investimit, as afatet kohore dhe as kushtet që do t’i ofrohen një kompanie të huaj. Po përfliten ca investitorë “misteriozë” nga Katari. Qeveria refuzon të sqarojë kush janë, çfarë historie kanë dhe çfarë kërkojnë në këmbim. Kompania italiane ‘TechnoAlpin’ më 19 dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi ishte paraparë të realizohej në shtatë faza dhe kapte vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në lidhje me këtë projekt autoritetet kanë premtuar shumë, megjithatë negociatat ende nuk kanë marrë epilog dhe deri më tani nuk është arritur të nënshkruhet ndonjë marrëveshje konkrete. Investimi italian në Kodrën e Diellit u promovua me shumë pompozitet nga qeveria e kaluar. Akoma edhe sot nuk jepen sqarime nëse qeveria ka hequr dorë nga ky projekt ose jo.

Krahasimi i Kodrës së Diellit me Alpet Evropiane është paksa reklamë e fryrë, sepse rrugët që të shpiejnë drejt Kodrës së Diellit sot nuk i plotësojnë as standardet minimale: pistat tashmë janë të amortizuara, teleferikë të vjetëruar, infrastruktura e shkatërruar, menaxhimi i po këtyre rrugëve tashmë i dështuar, kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe shumë e shumë gjëra të tjera.

Mendojmë se ky vend me potenciale kaq të mëdha turistike, ka nevojë për strategji serioze afatgjate, shfrytëzim dhe investime reale si edhe në fund llogaridhënie publike të qeverisë para qytetarëve. (leximi 5 minuta)

Disa të dhëna për Kodrën e Diellit, Tetovë

Qendra “Kodra e Diellit” shtrihet në lartësinë mbidetare 1780 m, 18 km nga Tetova, 48 km nga Kodra e Diellit deri në Shkup (70 km nga aeroporti i Shkupit). Deri në qendër arrihet përmes udhës së asfaltuar dhe nëpërmjet teleferikut në gjatësi prej 7 km, me të cilin mjet udhëtimi arrihet për 40 min., me një ndryshim lartësie prej 1400 m. Mali i Sharrit është një nga masivet malore më të rëndësishme në Ballkan, me shtrirje në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Me histori të lashtë ilire dhe rol natyror mbrojtës, Sharri ka qenë gjithmonë hapësirë jetike për banorët e rajonit. Në vitin 1986 u shpall Park Nacional, falë biodiversitetit të jashtëzakonshëm, florës endemike dhe faunës së rrallë. Masivi përfshin mbi 30 maja mbi 2.500 metra, ku më e larta është (2.748 m), dhe njihet për burimet ujore, kullotat alpine dhe trashëgiminë natyrore unike.

Qendra e skijimit “Kodra e Diellit” që në vitin 1924 ishte destinacion për alpinistët e Jugosllavisë së atëhershme, për t’u shndërruar më vonë edhe në qendër me nam botëror.

Të parët që panë dhe filluan të shfrytëzojnë potencialin e Kodrës së Diellit ishin Shoqata e Malësorëve “Mali Sharr” (Shar Pllanina) që në vitin 1934 krijuan edhe asociacionin e parë të skijimit. Gjithashtu, ata menaxhuan këtë qendër deri në vitin 1963.

Investimet e para në Kodrën e Diellit datojnë që nga viti 1934 ku u ndërtua shtëpiza e parë malore. Më pas, në vitin 1936 ky objekt u zgjerua dhe kishte 60 dhoma e 198 shtretër.

Gjatë periudhës kur kjo shoqatë menaxhoi u organizuan edhe garat e para lokale dhe ato ndërkombëtare, si dhe kurset e para të skijimit, që më vonë do nxirrnin skijatorë shumë të suksesshëm.

Teleferiku me dy ulëse filloi të ndërtohet në vitin 1947, me gjatësi 3 kilometra. Ky teleferik punoi dy vite, shkaku i shtyllave që kanë qenë të ndërtuara prej druri, dhe pas dy viteve filluan të devijojnë. Andaj, ndërpritet funksionimi i këtij teleferiku dhe i njëjti shkurtohet deri në 1 kilometër e gjysmë, i tillë funksionon deri në vitin 1955.

Në vitin 1962, u ndërtua dhe filloi me punë edhe teleferiku Tetovë-Lisec në gjatësi 3209 metra.

Kodrën e Diellit, në vitin 1963, e merr ne menaxhim organizata hotelerike “Nov Zhivot” Tetovë.

Tre vite pas vënies në punë të teleferiku Tetovë-Lisec, në vitin 1965 u lëshua në përdorim edhe pjesa e dytë e këtij teleferiku Lisec-Kodër Dielli, në gjatësi 2991 metra.

Teleferiku kishte 100 kabina, me kapacitet për 400 persona. Koha e udhëtimit ishte 40 minuta.

Pas kësaj në vitin 1965 filloi ndërtimi i një ulëses për skijim drejt Ceripashinës, i cili ndërtim përfundoi në vitin 1968.

Organizata hotelerike “INEX” Beograd e merr në menaxhim qendrën e skijimit në vitin 1968, ku ju kushtua më shumë rëndësi hotelerisë, andaj dhe nuk ka pasur investime në terren, në ski-lifte apo teleferikë. Objekti i ndërtuar nga Shoqata e Malësorëve “Mali Sharr” në vitin 1934, që më pas u zgjerua në objekt me 60 dhoma, u rindërtua nga fillimi për t’u shndërruar në hotelin e quajtur “INEX”.

Investimi më i madh në Kodrën e Diellit është bërë gjatë periudhës kur ka menaxhuar kompania Jugohrom (1976-1999)

Në vitin 1976 është ndërtuar teleferiku dy ulëse deri në Ceripashinë me kapacitet deri në 1000 skijatorë në orë. Është investuar në dy makina për shtypjen e borës dhe dy të tjera për pastrimin e saj. Gjithashtu, është investuar në riparimin e ski-lifteve që deri në atë periudhë kishin pësuar dëmtime të ndryshme.

Në vitin 1998 emërohet drejtori gjeneral i parë shqiptar i Kodrës së Diellit, Menan Memedi.

Një vit më pas, në vitin 1999 shkaku i borxhit të rrymës që kompania Jugohrom kishte ndaj kompanisë “Elektro Ekonomia” Shkup, Kodra e Diellit i jepet si kompensim kësaj kompanie.

Në periudhën e tranzicionit kur Kodra e Diellit i kaloi në menaxhim kompanisë “Elektro Ekonomia” Shkup (1999-2005), punëtorët që punonin në Kodrën e Diellit u shpërndanë, disa kaluan në kompaninë Jugohrom dhe disa ngelën nën ombrellën e menaxhimit të Kodrës së Diellit.

Kompania “Elektro Ekonomia” Shkup në vitin 2005 u nda në tre kompani, ku njëra ndër to, ELEM, e mori në menaxhim Kodrën e Diellit. Megjithatë, amortizimi i makinave, ski-liftet e vjetëruara, teleferiku jofunksional dhe shumë probleme të tjera vetëm se e kishin paralajmëruar gjendjen në të cilën edhe sot është Kodra e Diellit.

Në vitin 2012, për të përmirësuar gjendjen e Kodrës së Diellit, u krijua kompania ELEM TURS e cila duhej të menaxhonte me Kodrën e Diellit.

Sipas Menan Memedit, që kur u krijua ELEM TURS, drejtorit ju morrën kompetencat dhe mundësia për vendimarrje dhe u bë edhe më i vështirë investimi në Kodrën e Diellit.

Që nga viti 2012 e deri më sot diskutohen problemet e shumta dhe të njëjta me të cilat përballet Kodra e Diellit, megjithatë asgjë deri sot nuk është ndërmarrë.

Iniciativa Qytetare “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” këtë vit ka realizuar dy protesta. Gjithashtu, ata u takuan me kryeministrin Zaev dhe kërkuan që kompania ELEM TURS të tërhiqet nga menaxhimi me këtë qendër skijimi.

13.01.2026