A do të distancohet BDI-ja nga takimi i Grubit me ambasadorin kinez, që shqetësoi SHBA-të?

Ambasada amerikane në Shkup me dozë dyshimi ka komentuar në media takimin e djeshëm të zëvendës kryeministrit të dytë, Artan Grubi, me ambasadorin kinez në Shkup, Zhang Xuo. Diskutabile ka qenë pjesa ku Grubi dhe ambasadori kinez kanë biseduar për rrjetin 5G.
Qëndrim i SHBA-ve është se kompanive kineze si Huaëei dhe ZTE, që prodhojnë rrjete dhe softuer për 5G, nuk mund të ju besohet, kanë thënë nga ambasada amerikane për sdk.mk, pas takimit mes Grubit dhe ambasadorit Xuo.
Grubi dhe Xuo kanë biseduar për zgjerimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kinës mes tjerash edhe në fushën e teknologjisë, transmeton Gazeta Lajm.
“Në përgjithësi, nuk komentojmë takime në të cilat nuk jemi ne të kyçur, por lidhur me çështjen e 5G , pozicioni ynë është i qartë.
Ne dëshirojmë të shohim ekonomi të zhvilluar digjitale në mbarë botën që do të ketë përfitim nga ajo që e premton rrjeti 5G. Që të ndodhë kjo, gjithë ne duhet të kemi besim te pajisjet dhe softueri për 5G fhe te kompanitë që i prodhojnë se nuk do të paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, privatësinë, pronën intelektuale dhe të drejtat e njeriut. Për fat të keq, kompanive si Huaëei dhe ZTE, që janë të lidhura me qeverinë kineze, nuk mund tu besohet se do t’i mbrojnë të dhënat senzitive dhe pronësinë intelektuale. Maqedonia e Veriut ka mundesi ti shfrytëzojë benefitet nga ekonomia digjitale, pot suksesi do të varet nga ajo nëse do të shfrytëzohen furnizues të besueshëm, që do ti mbrojnë informatat private të qytetarëve”, thonë nga Ambasada amerikane.
Pas takimit Grubi-Xuo, në selinë e BDI-së në Reçicë ka udhëtuar ambasadorja amerikane në Shkup, Kejt Bërns. Edhe pse në komunikatën e lëshuar pas takimit askund nuk përmendet takimi i Grubit me ambasadorin kinez, megjithatë analistët e konsultuar nga Gazeta Lajm nuk besojnë që të ketë qenë takim i rastësishëm.
Siç thuhet në njoftimin e lëshuar nga BDI, e për të cilin ka informuar vetëm servisi publik në gjuhën shqipe, në takim Ahmeti i ka thënë ambasadores amerikane Bërns se bashkëpunimi i suksesshëm me SHBA-të do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të realizimit të qëllimeve të përbashkëta me Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Ahmeti dhe ambasadorja e SHBA-ve, Bërns gjithashtu gjatë takimit kanë biseduar edhe mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut sa i takon integrimit euroatlantik, duke përmendur këtu marrëveshjen me Athinën dhe Sofjen si dhe drejtimin e vendit drejt BE-së.
Kreu I BDI-së gjithashtu ka përshëndetur Marrëveshjen e Uashingtonit midis Kosovës dhe Serbisë së bashku me njohjen e ndërsjellë midis Izraelit dhe Kosovës si dhe përcaktimin e Hezbollahut si organizatë terroriste.
Ndërsa ambasadorja Bërns ka theksuar se Uashingtoni do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Maqedonisë së Veriut në zbatimin e reformave të nevojshme por shumë të rëndësishme me qëllim mbisundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë të paanshme dhe të pavarurа”, thuhet në komunikatë.