Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka udhëhequr Kuvendin e Kosovës gjatë legjislaturës së fundit, tha sot që konstituimi i Kuvendit duhet t’i hapë rrugë formimit të Qeverisë së Kosovës.
Pas seancës në të cilin u betuan deputetët dhe u zgjodh kryetari e nënkryetarët e Kuvendit, Veseli tha se nuk duhet krijuar kriza artificiale të cilat mund t’i vënë qytetarët në kriza sociale.
Kadri Veseli u tha gazetarëve se në një shtet të ri siç është Kosova, janë normale rotacionet demokratike.
Ai nuk është përgjigjur kur është pyetur se a do të votojë Albin Kurtin për kryeministër të Kosovës.
Ndryshe, sot është bërë konstituimi i legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, me zgjedhjen e kryetarit të ri Glauk Konjufca nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pesë nënkryetarëve, pavarësisht se VV dhe LDK erdhën në seancë pa një marrëveshje paraprake për formimin e qeverisë së re. /KosovaPress/