Figura qendrore në skandalin e korrupsionit, që e ka shkundur Ukrainën, Tymur Mindich, është mik i vjetër dhe ish-partner biznesi i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Burimet nga sektori për zbatim të ligjit kanë thënë se Mindich është larguar nga shteti pak para se policia të bënte kërkime në shtëpinë e tij.
Prokurorët raportohet t’i kenë thënë gjykatës se e posedojnë një thirrje telefonike të incizuar në të cilën Zelensky dëgjohet duke folur me një tjetër subjekt të hetimit, ministrin e Drejtësisë, Herman Halushchenko, derisa Halushchenko ka qenë në një thirrje telefonike në grup me Mindichin dhe Oleksandr Tsukermanin, ndihmës që është akuzuar gjithashtu nga shteti.
Hollësitë e bisedës me Halushchenkon dhe të komunikimit me Mindichin nuk dihen, ndërsa Zelensky nuk është nën hetime. Mirëpo, lidhjet e tij me Mindichin janë vetëm njëra arsye pse skandali duket se përbën sfidën më të madhe të tij, prej zgjedhjeve të vitit 2019.
Si komedian që e ka imituar rolin e presidentit në një emision televiziv të prodhuar nga kompania në pronësi të tij dhe Mindichit, Kvartal 95, Zelenesky ka qenë emër që i ka habitur të gjithë kur i ka fituar zgjedhjet presidenciale.
Thirrjet për paqe kanë qenë në qendër të fushatës së tij në kohën kur lufta e forcave ruse në rajonin lindor të Donbasit ishte duke gëluar.
Mirëpo, lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, e ka lënë politikën në hije, duke e mbrojtur Zelenskyn nga sfidat me të cilat do të përballej secili lider në kohë të paqes.
Kushtetuta e Ukrainës e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve në gjendje lufte, e cila është shpallur prej ditës së parë të nisjes së pushtimit rus. Për më shumë, ukrainasit kanë shfaqur unitet të madh në nisje të luftës, fenomen që e ka forcuar Zelenskyn dhe qasjen e tij ndaj luftës, e cila sipas shumë vëzhguesve, besohej se do ta gjunjëzonte shtetin brenda ditësh.
Megjithatë, përgjatë kësaj kohe, Zelensky ka pasur momente të sikletshme politike, sikurse mospajtimi i hapur me gjeneralin ushtarak, Valeriy Zaluzhniy, dikur në krye të ushtrisë ukrainase, çka e ka shtyrë zyrtarin e lartë ushtarak të heqë dorë nga detyra, duke i rritur spekulimet se ai mund të garojë për president, sapo të mbahen zgjedhjet në të ardhmen.
“Krizë politike e pakontrollueshme”
Uniteti në kohë lufte i ka zbehur dallimet mes forcave politike. Mirëpo shkalla e rastit të korrupsionit, të njohur si Operacioni Midas, e bën situatën jo fort të lehtë.
Përtej efekteve të menjëhershme, skandali “mund të kthehet në forcë shtytëse për shumë konflikte të brendshme politike dhe situata tjera vitin e ardhshëm, sidomos në rast të përfundimit të luftës dhe mbajtjes së zgjedhjeve pas luftës”, ka thënë njohësi ukrainas i çështjeve politike, Volodymyr Fesenko në disa përgjigje për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).
“Sfida kryesore socio-politike është që të gjendet një baraspeshë e pranueshme në mes të nevojës për hulumtim të plotë të rastit dhe ruajtjes së stabilitetit politik për shkak të luftës, në mënyrë që të shmanget një krizë politike e pakontrollueshme”, ka thënë Fesenko.
Dhe nuk janë vetëm lidhjet e Zelenskyt me Mindichin dhe të tjerët e përfshirë në hetime, që e rrezikon figurën e presidentit.
Ekzistojnë dhe faktorë tjerë që mund ta dëmtojnë rëndë besimin në Zelenskyn dhe Qeverinë e tij, nisur prej ushtarëve në vijën e frontit e deri te përkrahësit e Kievit në Perëndim.
Specifikat e skandalit, i cili ka shpërthyer në kohën e sulmeve të vazhdueshme ruse në infrastrukturën ukrainase të energjisë, lidhen direkt me luftën dhe mandatin kryesor të Qeverisë: mbrojtjen e shtetasve ukrainas.
Të dyshuarit akuzohen se kanë kërkuar 10-15 për qind fitim nga nënkontraktorët privatë të Energoatomit, operatorit shtetëror të centraleve bërthamore të Ukrainës, dhe ka sinjale se në këtë rast mund të jenë përfshirë edhe kontrata për kryerjen e instalimeve për t’i mbrojtur objektet e energjisë.
Vlera e përqindjeve që besohet se kanë përfituar të dyshuarit shkon në rreth 100 milionë dollarë.
NABU dhe SAPO
Vëmendje të madhe është duke marrë edhe fakti që Byroja Kombëtare kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër Korrupsionit (SAPO) kanë qenë duke kryer hetime 15 muaj para se hetimi të bëhej publik këtë javë.
Ky detaj i ka rritur edhe më shumë dyshimet për tentimin e dështuar të Zelenskyt dhe aleatëve të tij në korrik për të zvogëluar pavarësinë e këtyre dy agjencive, të cilat janë konsideruar si kryesore në përpjekjet e Kievit kundër korrupsionit. Dyshimet janë mos ai ka tentuar të rrënojë hetimin.
Deri më tani, nuk ka asnjë sinjal se protestat në rrugë e kanë detyruar Zelenskyn që të përmbysë vendimin për NABU-n dhe SAPO-n, ndonëse faktorët kanë qenë krejt të ndryshëm – në protesta është kundërshtuar ligji që ai e ka nënshkruar.
Teksa Rusia vazhdon t’i hedhë poshtë thirrjet për armëpushim, skandali vetëm i ushqen politikanët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët ka kohë që janë të shqetësuar për korrupsionin dhe kanë dilema për ndihmën e dërguar në Ukrainë.
Kjo mund të nënkuptojë që do të rritet presioni ndaj Kievit që të bëjë koncesione territoriale kundrejt Moskës.
Zelensky e ka distancuar veten prej Mindichit dhe shtatë personave tjerë që janë nën hetime, me qëllim që të mos i prishet imazhi dhe t’i ulë shqetësimet brenda dhe jashtë shtetit. Më 13 nëntor, ai e ka nënshkruar një dekret për vendosjen e sanksioneve, përfshirë ngrirjen e aseteve për Mindichin dhe Tsukermanin.
Zelensky ka thënë për televizionin Bloomberg më 12 nëntor se nuk ka folur me Mindichin prej bërjes publike të hetimeve.
“Gjëja më e rëndësishme janë dënimet për personat që janë fajtorë”, ka thënë ai.
“Presidenti i një shteti në luftë nuk mund të ketë miq”.
Çështja e besimit
Halushchenko – dikur edhe ministër i Energjisë, që dyshohet se ka fituar përqindje prej kontratave – dhe ministrja e Energjisë Svitlana Hrynchuk i kanë ofruar dorëheqjet e tyre më 12 nëntor, pasi Zelensky ka kërkuar largimin e tyre, ka bërë të ditur kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.
Hrynchuk nuk është nën hetime dhe të dy i hedhin poshtë akuzat.
Më 12 nëntor, Svyrydenko ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë shtetërore do të auditohen.
Zelensky është përpjekur që ta qetësojë edhe Perëndimin. Pas një bisede telefonike të zhvilluar të njëjtën ditë me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, zyra e këtij të fundit ka thënë se Zelensky është “zotuar për transparencë të plotë, mbështetje afatgjate për autoritetet e pavarura kundër korrupsionit si dhe për masa tjera, për ta rikthyer besimin e popullit ukrainas, partnerëve evropianë dhe donatorëve ndërkombëtarë”.
Mbetet të shihet nëse këto masa do të mjaftojnë. Gjithçka mund të varet nga epilogu i rastit, përfshirë nëse Mindich dhe Tsukerman – i cili po ashtu e ka mohuar çdo keqbërje – kthehen në Ukrainë për t’u përballur me drejtësinë, si dhe nga hapat tjerë që ndërmerr Qeveria për ta zhdukur korrupsionin, përfshirë atë në nivelet më të larta.
Tani për tani, fakti që skandali ka shpërthyer në publik – diçka që analistët besojnë se është më pak reale të ndodhë në Rusi apo në vendet tjera me regjime të ashpra – mund të jetë argumenti më i mirë i Zelenskyt se ai është shumë serioz në luftimin e korrupsionit.
Gazetari hulumtues, Yuriy Nikolov, redaktor i mediumit ukrainas Nashi Hroshi (Paratë tona), që ka raportuar se ka të dhëna për korrupsionin në kontratat qeveritare për furnizime, ka thënë se “ka folur për këtë gjë shumë vjet më parë – për Halushchenkon, për Mindichin, dhe për të gjitha figura tjera të përfshira”.
“Fundi ka qenë i parashikueshëm prej distancës, mirëpo disi ka mbetur i pavërejtshëm nga autoritetet”, ka thënë Nikolov për Current time, televizion në gjuhën ruse i Radios Evropa e Lirë.
“Për mua, ky është një çlirim i madh, sepse i tregon botës që jo vetëm se kemi korrupsion, por edhe jemi duke e luftuar atë”./REL




