Edhe krahas apelit të LSDM-së për barazi gjinore, gjatë krijimit të listave të kandidatëve për kryetarë komunash, pas publikimit të listës së LSDM-së, kryetarja e Unionit të grave të Maqedonisë, Savka Todorovska u shpreh e pakënaqur. Sipas saj as partitë e as faktori ndërkombëtar nuk interesohen për rolin dhe vendin e grave në vetëqeverisjen lokale.
“Nëse nuk ndodh kjo, atëherë duhet të mendojmë se të gjithë këta në listat ndoshta do të kenë emra femërore”, tha Todorovska.
Kryeministri pas publikimit të listës u shpreh i vendosur se ligji nuk i obligon që të ketë barazi gjinore gjatë krijimit të listave.
“Përfaqësimi i barabartë, sipas Statutit tonë, sipas ligjit, ka të bëjë me vendet e këshilltarëve. Këtu zgjidhet vetëm një kandidat. Kur keni një kandidat, atë nuk mund ta ndani 50-50 në nivel të Maqedonisë së Veriut, ndërsa njëkohësisht t’i dëgjoni qytetarët”, tha Zaevi.
“Nuk është e patjetërsueshme, por nëse e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet të cilat tani janë duke u përgatitur, barazia mes grave dhe burrave, nëse janë miq të vërtetë të shoqërisë do të dinë se secili qytetar ka të drejta të barabarta, i kanë kapacitetet në radhët e tyre ose jashtë tyre, ata mund ta bëjnë këtë”, shtoi Todorovska.
Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk udhëheqin dialog për atë nëse duhet ose nuk duhet të kyçen gratë në politikë, por se si t’i nxisin që të kyçen.
“Burrat duhet të bëjnë më shumë për t’i motivuar gratë në shtëpi, në punë dhe në politikë që të marrin pjesë në mënyrë aktive. Në VMRO-DPMNE-në në të kaluarën kemi treguar se kemi kandiduar gra për pozita shumë të larta, shpresoj se edhe për zgjedhjet lokale këtë do ta dëshmojmë”, tha Marija Miteva nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se më e rëndësishme se numrat është cilësia dhe emërimi i kuadrove cilësorë, njerëz të cilët me punën e tyre do të jenë shembull pozitiv dhe do të jenë nxitje për gratë që të marrin pjesë dhe përgjegjësi në jetën publike dhe institucionale. Nga BDI nuk morëm përgjigje, jo zyrtarisht vetëm Teuta Arifi do të jetë grua nga kjo parti.
Por për gratë nuk nevojitet vetëm përkrahje nga institucionet, nevojiten edhe financa që të mund të kandidohen. Todorovska tha se dy euro për kokë banori i nevojiten një kandidati për fushatë, ndërsa siç shtoi, gratë ende nuk kanë rol udhëheqës në biznes, përveç se udhëheqin disa biznese të vogla.