
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, theksoi se presioni i Kinës ndaj turqve ujgurë që jetojnë kryesisht në rajonin autonom ujgur Xinjiang janë “kërcënimi më i madh për lirinë fetare”, transmeton Anadolu Agency (AA).
I ndodhur në Indonezi në kuadër të një vizite zyrtare, Pompeo mbajti një fjalim në aktivitetin e Lëvizjes rinore Ansor e lidhur me Nahdlatul Ulama, një prej organizatave më të mëdha islame në vend.
Qeveria e Pekinit “nën emërtimin e të ashtuquajturës luftë kundër terrorizmit” ushtron presion mbi turqit ujgurë, theksoi Pompeo, i cili vuri në dukje se “ajo injoron ndjeshmërinë fetare në rajon dhe përpiqet të dobësojë lidhjet familjare”.
Më tej, Pompeo nënvizoi se qeveria e Kinës përpiqet të bindë botën që politikat ndaj ujgurëve janë pjesë e përpjekjes për të luftuar kundër terrorizmit dhe për të ulur varfërinë.
Qeveria kineze po përpiqet të bindë edhe muslimanët e Indonezisë që të qëndrojnë larg çështjes ujgure, tha Pompeo, duke bërë të ditur se politikat e Kinës janë kërcënimi më i madh për të ardhmen e lirisë fetare.
Pompeo ka kundërshtuar edhe pretendimet e zyrtarëve kinezë se “Ujgurët janë të prirur që të heqin dorë nga identitetet e tyre etnike, fetare dhe kulturore në mënyrë që të jenë modernë dhe të përfitojnë nga iniciativat e qeverisë kineze për zhvillim”.
Pasi është shprehur se Indonezia në të cilën jetojnë në harmoni njerëz nga përkatësi dhe fe të ndryshme e tregon rrugën që duhet të ndiqet, Pompeo theksoi se nuk ka asnjë arsye që Islami të mos jetojë në paqe me fetë e tjera.
Pompeo mbërriti në Indonezi pas vizitave të tij në Indi, Sri Lanka dhe Maldive dhe do të vizitojë edhe Vietnamin.