Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka komentuar pas deklaratës së emisarit të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, se duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për të lejuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Serwer, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vendimi për këtë është në dorën e Kuvendit të Kosovës.
Ai është shprehur skeptik se do të ketë vota të mjaftueshme në Kuvend për themelimin e tij.
Sipas profesorit amerikan, Lajçak po synon formimin e një Asociacioni me kompetenca ekzekutive.
“Nuk përjashtohet plotësisht, por është një vendim që duhet të merret në Kuvendin e Kosovës. Mendoj se do të jetë e vështirë të gjenden votat atje për të bërë atë që Lajçak ka të ngjarë të ketë në mendje – domethënë të lejohet që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive”, ka deklaruar Serwer për “Bota sot”.
Ai ka theksuar se Kosova duhet të largohet nga një marrëveshje e keqe, për të arritur deri tek e mira.
“Më lejoni ta përsëris: për të arritur një marrëveshje të mirë, Kosova do të duhet të jetë e gatshme të largohet nga një e keqe”, është shprehur Daniel Serwer.