Viti i ri shkollor në kushte pandemie, sfidë për institucionet arsimore

Viti i Ri shkollor i cili filloi sot në disa shkolla me prezencë fizike të fëmijëve në disa të tjera online, paraqet sfidë për shtetin dhe institucionet kompetente. Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e arsimit, Zoran Zaev dhe Mila Carovska shprehen optimist se do të tejkalohen të gjitha problemet teknike dhe se do të bëhen përpjekje që procesi mësimorë të zhvillohet normal.

“Ky vit shkollor nuk ngjanë në asnjë vit paraprak, për shkak të koronavirusit do të zbatohen masa për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe mësimdhënësve. Të gjithë duhet të jemi solidar dhe të tregojmë mirëkuptim në këtë proces. Në rast se të gjithë i respektojmë masat më lehtë do ta kalojmë këtë vit shkollor, dhe në këtë mënyrë do të kujdesemi që ky vit shkollor i këtillë të jetë i fundit dhe i vetmi. Shkollat të përgatitura po fillojnë vitin shkollor, të gjitha masat dhe protokollet për ndjekjen e mësimit me prezencë fizike të nxënësve janë plotësuar. Mësuesit janë njoftuar dhe trajnuar për kushtet e mësimit në kohë pandemie”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev u shpreh i vetëdijshëm për problemet dhe pengesat që mund të paraqiten.

“Gjithkund ku do të paraqiten probleme, do të bëjmë përpjekje që t’i zgjidhim. Gjithsesi se do ti shqyrtojmë edhe mangësitë në procesin mësimor. Të kemi një tretman të njëjtë për të gjithë nxënësit, pavarësisht se ku jetojnë në qytet apo në fshat. Nuk është e lehtë as për prindërit, as për fëmijët”, tha Zaev.

Ndërkohë i pyetur për ata fëmijë të cilët nuk posedojnë kushtet për të ndjekur mësimin online, Zaev tha se do të bëhen përpjekje për sigurimin e mjeteve, gjegjësisht kompjuterëve, megjithatë kjo procedurë sipas tij do të zgjas deri në muajin prill.

“Dua ta dini se procedura për 40 mijë kompjuterët do të zgjat diku deri në muajin prill. Një përpjekje e madhe është bërë që të incizohen materialet, që të mund më pas nxënësit t’i ndjekin. Do të ekipohemi dhe do të sigurojmë mjete teknike, një pjesë do ta bëjnë institucionet, një pjesë ministria, me të njëjtin problem përballen edhe vendet më të zhvilluara. Do të bëjmë përpjekje që të gjithë fëmijët të ndjehen të barabartë”, u shpreh Zaev.