Pavarësisht ngjarjeve të shumta dhe dëshirës së hapur për t’u larguar, “telenovela” Lionel Messi është mbyllur me fund të lumtur për Barcelonën, që do të ketë në gjirin e saj 6 herë fituesin e Topit të Artë, për të paktën edhe një sezon.
Gjithçka e ka konfirmuar vetë ylli argjentinas, nëpërmjet një deklarate për mediat, ku ka sqaruar se nuk do të shkonte kurrë në një betejë ligjore kundër “klubit të jetës së tij” dhe në të njëjtën kohë nuk i ka kursyer sulmet ndaj presidentit Bartomeu.
“Ka qenë një vit shumë i komplikuar dhe vazhdimisht ua kam bërë të qartë drejtuesve se dua të largohem. Kam vuajtur shumë në stërvitje, në dhomat e zhveshjes dhe në ndeshje, ndaj doja një sfidë të re dhe këtë ia bëra të qartë klubit para humbjes me Bayernin, që nuk peshoi aspak në vendimin tim. Presidenti Bartomeu më kishte premtuar shumë herë se në fund të sezonit do të ma linte mua në dorë të vendos, nëse do të rri apo do të largohem, por nuk e mbajti fjalën. Nga ana tjetër, nunë nuk do të largohesha kurrë në rrugë ligjore kundër klubit të jetës time dhe për këtë arsye vendosa të qëndroj edhe një sezon te Barcelona”, deklaroi Messi.
Tani ylli argjentinas pritet të kryejë testin për koronavirusin dhe të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Ronald Koeman, për të nisur përgatitjet për sezonin e ri, që e sheh sërish me fanellën e Barcelonës.