Në 110 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës u zbulua pllaka përkujtimore në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e saj. Pllaka u zbulua në qendër të Shkupit, në vendin e shtëpisë ku kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu.
Pas shpalosjes së pllakës përkujtimore ka reaguar gazetarja Diana Toska, ideatore e himnit për shenjtoren Nënë Tereza. Ajo tha se pllaka në fjalë nuk ka koncept ideor e as estetik, duke shtuar se për shkak të shenjtërimit të saj në vitin 2016 është dashur të shkruhet Shën Tereza dhe jo vetëm Nënë Tereza. Madje, Toska reagoi edhe për vendosjen e emrit të donatorit në pllakën përkujtimore.
“Nëse e shihni në pllakën tjetër është kryqi, një identifikim i Nënës Terezë. Në pllakën në gjuhën shqipe kryqi i saj nuk vendoset dhe kjo lë shumë për të dëshiruar. Çka fshihet pas kësaj, pse nuk vendoset, kush i frikohet identitetit ose vallë mos të karikojë të them që a do të shndërrohet Nënë Tereza në myslimane. Kjo është një absurd i paparë, nuk ka koncept ideor e as përmbajtjesor kjo pllakë. Pastaj në anën tjetër vendoset emri i donatorëve. Nëse e marrim aspektin humanitar të bamirësisë të gjithë donatorët asnjëherë nuk e shënojnë nëse e bëjnë në aspektin bamirësie, emrin e tyre. Por, këtu qëndron prapavija politike atëherë kjo është edhe më e keqe sepse manipulohet, luhet dhe shfrytëzohet emri i Nënës Terezë për çështje politike- deklaroi Diana Toska, ideatore e himnit për Nënë Terezën.
Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza u lind më 26 gusht të vitit 1910 në Shkup. Ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997. Nënë Tereza nga Kisha e Shenjtë në Vatikan u shpall Shën Tereza. Në këtë përvjetor u promovua edhe libri “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nënë Tereza, një sagë për jetën e shqiptarëve katolikë të Shkupit”./Alsat




