“Monstra”, avokatët dorëzojnë 20 prova të reja

Avokatët e të akuzuarve në rastin “Monsta” dorëzuan rreth 20 prova të reja verbale dhe materiale në Gjykatën Penale për të dëshmuar pafajësinë e tyre. Mangësitë në ekspertizën e forenzikës së MPB-së në raportin laboratorik të dheut të gjendur në veturën, ku sipas prokurorisë pretendohej që kanë ikur kryerësit e vrasjes, sipas palës mbrojtëse flasin për montimin e këtij rasti. Për automjetin “Opel Omega” dëshmoi sot pikërisht shefi i sektorit për mbikëqyrje në vendet e ngjarjeve në SPB Shkup, Goran Milloshevski. Ai sqaroi lidhjen e ngjarjes me veturën, e gjetur në vendin Vrazhivir, ndonëse shprehet se aspak nuk e ka parë automjetin.

Më 13 prill në punë isha nga ora 07:00 deri në 15:00. Nga askush nuk kam marrë ndonjë njoftim se në Vrazhivir është gjetur veturë. Nga eprori Vllado Mirçevski, u njoftova se në Vrazhivir me siguri është gjetur një automjet që lidhet me ngjarjen e 12 prillit.”-tha Goran Milloshevski, dëshmitar.

Në ndërkohë në listën e dëshmive të propozuara për seancat e ardhshme, mes të tjerash mbrojtja kërkoi edhe dëshminë e Mile Janakievskit, për bisedën me ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Neve më shumë na intereson personi ku është lajmëruar ky rasti dhe i pari kush ka lajmëruar. Sipas provave ka më shumë njerëz që kanë denoncuar këtë rast makabër, por duhet ta dimë kush i pari e ka paraqit dhe kush është ai që e ka lidhur këtë veturë me këtë delikt. Ky është thelbi pse të aludohet me këtë veturë, ju e dini që me 13-in praktikisht të nesërmen dikush ka lajmëruar që është një veturë e braktisur kinse e ka ditur që pikërisht vetura ka të bëjë me rastin në fjalë”-pohoi Naser Raufi, Avokat i palës së të akuzuarve.