Kandidati presidencial nga demokratët, Xho Bajden, deklaroi që në rast se bëhet president, do t’i rrisë tatimet për ata të cilët fitojnë mbi 400 mijë dollarë amerikan në vit, ndërsa për ata me pagë më të vogël nuk do të ketë tatime të reja.




“Do t’i rrisim tatimet për ata që fitojnë 400 mijë dollarë. Pse? Sepse erdhi koha ata të fillojë ta paguajnë pjesën e tyre nga obligimet ekonomike që i kanë. Askënd nuk e dënoj. Të pasurit dhe korporatat duhet ta japin pjesën e tyre”, deklaroi Bajden mbrëmë në intervistë për Ej-Bi-Si.
Në pyetjen nëse do të vendosë tatime të reja për ata me pagë më të vogël se 400 mijë dollarë në vit, ai u përgjigj se “nuk ka nevojë”.
Kjo është intervista e parë e Bajdenit nga pozita e kandidatit për president të SHBA-së. Në të ai gjithashtu e kritikon konkurentin e tij, presidentin aktual Donald Tramp, duke e quajtur “të paaftë” për ta kryer funksionin. Sipas tij, shefi i shtetit e ka shmangur trajtimin e ballafaqimit dhe zgjidhjes së problemit me Kovid-19.
Në sfondin e pandemisë, Bajden ka për qëllim të fitojë në zgjedhjet pa udhëheqje të fushatës klasike me udhëtime nëpër vende dhe tubime masive të mbështetësve të tyre. Zgjedhjet janë më 3 nëntor. Sipas anketave të deritanishme, Bajden është në epërsi të vogël nga Tramp. Ai e zgjodhi Kamala Haris për nënpresidente të tij, e cila gjithashtu ka marrë pjesë në intervistë.
Tramp këtë javë pritet formalisht të nominohet për kandidat presidencial nga Partia Republikane.