Partitë shqiptare nuk përfillin pesë shtyllat e BDI-së. Sipas tyre, BDI po reflekton panik dhe se qëndrimet e tilla është dashur t’i shpalos para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Nga Aleanca për Shqiptarët 5 shtyllave iu përgjigjën me 5 kundër-shtylla.
Aleanca për Shqiptarët
1. BDI vazhdon të jetë subjekti më përçarës
2. Mos u kap për dore me Lube Boshkovskin
3. Mos vidh votën dhe mos blejë vullnetin e lirë
4. Mos mashtro shqiptarët, realizo kryeministrin shqiptar
5. Ku ishit ju kur u bënë ndryshimet Kushtetuese?
Partia Alternativa i kujton BDI-së shtyllën e gjashtë, apo siç thonë ata shtyllën e turpit.
“Kanë harruar shtyllën kryesore shqiptare. Shtylla e 6 e politikës kombëtare shqiptarë është shtylla e turpit, shtylla ku do të ngjiten fotografitë e vjedhësve të votës shqiptare nga lideri i partisë deri te bandat lokale”, thonë nga partia Alternativa.
Lëvizja Besa nuk komenton qëndrimet e BDI-së. Sipas tyre, derisa nuk njoftohen zyrtarisht për shtyllat të cilat i promovon BDI, nuk do të prononcohen. Ditë më parë zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani shpalosi 5 shtyllat mbi të cilat duhet organizuar aktiviteti politik shqiptar në Maqedoni të Veriut. Osmani ka potencuar se qëndrimi i BDI-së është se shqiptarët nuk duhet garojnë me më shumë se dy lista, partia fituese flet në emër të shqiptarëve, partitë jo fituese i japin mbështetje partisë së parë, deputetët e partive jo fituese nuk guxojnë të bëjnë pazare anësore dhe krejt në fund ka potencuar nevojën për mundësi bashkëpunimi mes shqiptarëve në interes të qytetarëve. BDI sot nuk deshi të komentojë pse shtyllat e lartpërmendura nuk janë shpalosur më herët.