Partitë nuk komentojnë zërat për transferin e mundshëm të deputetëve

Dy partitë më të mëdha të bllokut politik maqedonas nuk komentojnë zërat për blerje deputetësh me qëllim sigurimin e shumicës parlamentare. Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë liderin e LSDM-së, Zoran Zaev se demokracinë e shef si pazar dhe se ky subjekt ka keqkuptuar demokracinë.

“Për LSDM-në dhe Zoran Zaevin demokracia është pazar ku mund të blihen vota dhe të shfrytëzohet forca e shtetit për të blerë deputet të cilët e përfaqësojë legjitimitetin e popullit në Kuvend”, thonë nga VMRO-DPMNE.

As LSDM nuk komenton zërat se Zaev është në kontakt me deputet nga partitë të cilat janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në. Sipas Socialdemokratëve negociatat nisin pas festës së Ilindenit.

“Bisedimet për formimin e Qeverisë do të bëhen pas Ilindenit, përkatësisht pas konstituimit të Kuvendit. LSDM është e hapur për të negociuar me të gjithë faktorët që mbështesin rrugën Evropiane”, njoftojnë nga LSDM.

Zërat për blerje deputetësh me qindra-mijëra euro publikisht i denoncoi kreu i partisë E majta, Dimitar Apasiev. Ndërkohë Zaev gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se do të kërkojë ose do t’i ofrojë VMRO-DPMNE-së deputet me qëllim që negociatat të mos zhvillohen me kushtëzime. Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski kishte hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke shtuar se ai si mandatar do të jetë në garë për formimin e shumicës së re parlamentare.