Zaev tregon me cilat parti do ta bëjë qeverinë LSDM-ja

Në intervistën e tij për revistën Nacional të Zagrebit, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se mandati për formimin e Qeverisë është te LSDM-ja dhe se negociatat për formimin e qeverisë do të zhvillohen pas Ilindenit.
“Mandati për formimin e Qeverisë së re është te LSDM-ja dhe koalicioni ‘Munedmi’. Menjëherë pas festës Ilinden që është më 2 gusht, futemi në proces të negociatave për koalicionime të ardhshme dhe themelim të përbërjes së Qeverisë. Me politikat që po i udhëheqim dhe me raportin e ndershëm dhe të përgjegjshëm, LSDM posedon bindshëm kapacitetin më të madh për koalicionim. VMRO-DPMNE është parti e mposhtur që demonstron politika që janë në kundërshtim me ambientin e përgjithshëm demokratik dhe nga rruga demokratike kah po lëviz vendi”, ka deklaruar Zaev pë Nacional.

Në këtë intervistë Zaev ka përsëritur qëndrimet se me cilat parti është i gatshëm ai dhe LSDM të negociojnë për formimin e qeverisë, transmeton Gazeta Lajm.
“LSDM është parti e madhe, zemërgjerë dhe e hapur dhe do të negociojmë për koalicionm me të gjitha partitë që janë të gatshme ta pranojnë konceptin evropian, demokratik, liridashës dhe progresiv dhe rrugën që Maqedonia e Veriut po e rrugëton si vend në NATO”, ka deklaruar Zaev.