Në kuadër të relaksimit të mëtejshëm të kufizimeve kundër shpërthimit të koronavirusit, Turqia tani lejon kafenetë, restorantet dhe bizneset e ngjashme të kthehen përsëri në orarin normal të punës, transmeton agjencia turke Anadolu.
Një njoftim i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i dërguar tek të gjitha 81 provincat e Turqisë, thotë se kufizimet e orarit të punës për biznese të caktuar, që ishin në fuqi për të frenuar shpërthimin, u hoqën në përputhje me rekomandimet e Bordit Këshillimor Shkencor të Turqisë mbi koronavirusin.
Bizneset e përfshira në këtë masë janë restorantet, kafenetë dhe çajtoret. Këto biznese do të jenë në gjendje të operojnë brenda kohës së specifikuar në rregulloret dhe licencat e tyre të përgjithshme, ashtu sikurse para shpërthimit të pandemisë.
Me një prirje të rënies së shifrave ditore, Turqia deri më sot ka regjistruar gjithsej 220.572 raste të konfirmuara me Covid-19, prej të cilëve mbi 203 mijë janë shëruar dhe 5.508 kanë vdekur.
Javëve të fundit, shifra ditore e të shëruarve është pothuajse e barabartë me numrin e rasteve të reja të zbuluara, një pikë referimi e theksuar nga ministri i shëndetësisë i vendit.