Bolton: Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë propozimi i të dyja vendeve

Të dielën në Bruksel pritet të rinisë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian, por ujërat duket se janë trazuar sërish pas deklaratës së ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, i cili pohoi se çështja e shkëmbimit të territoreve është përmendur si mundësi në bisedat ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë.

Pas deklaratave të Bolton se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë propozim i vetë dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç nuk kanë pranuar të prononcohen. Të kontaktuar nga “Zëri i Amerikës”, zyra e presidentit Thaçi tha se “nuk i komentojmë deklaratat e zotit Bolton”.

Ndërkohë, zyra e shtypit të presidentit Vuçiç nuk ka kthyer një përgjigje në lidhje me këtë interesim. Sipas John Bolton, ideja e “shkëmbimit të territoreve”, u prit me shqetësim nga disa vende europiane, por sipas tij, nëse vetë dy vendet binin dakord, edhe vendet e tjera do e pranonin vendimin./Euronews