Analisti Bodo Weber ka folur për aktakuzën që është dorëzuar ndaj presidentit Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së.
Weber ka deklaruar se ka qenë e qartë që Thaçi një ditë do të thirret nga Gjykata Speciale
“Po të kemi parasysh përpjekjet e presidentit Thaçi në tre vitet e kaluara për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë – duke privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare, këmbënguljen për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ndryshim territoresh – dhe se këto ai i ka bërë për të shpëtuar nga padia e Gjykatës Speciale, atëherë ishte e qartë që Thaçi një ditë do të thirrej nga kjo gjykatë”.
“Vendimi i jashtëzakonshëm i prokurorëve për ta publikuar aktpadinë paraprake, para se të merrte vendim gjykata, ka të bëjë me këto veprime të presidentit. Fakti që prokurorët zgjodhën këtë ditë, dëshmon për frikën e tyre për ndonjë pazar të mundshëm në negociatat që do të bëheshin të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht nëse ky shqetësim ishte i bazuar apo jo”.
Weber tha se nëse kjo aktakuzë është puro politike deri diku sipas tij kjo u detyrua nga veprimet e Presidentit Thaçi dhe mbështetësit e tij brenda dhe jashtë Kosovës.
“Pikërisht, vitin e kaluar, në kontekstin e dorëheqjes së kryeministrit të atëhershëm Haradinaj, që të merrej në pyetje nga prokurorët e Hagës, pati shumë spekulime, madje dhe ndër qarqet qeveritare evropiane se a ndikohet gjykata e Hagës nga administrata e Trumpit, pasi Haradinaj ishte kundër mbështetjes së marrëveshjes për shkëmbimin e territoreve. Hapi i tanishëm i prokurorëve, sado i pazakontë që është, vërteton pikërisht pavarësinë e Hagës, pasi është në kundërshtim me interesat e administratës Trump”.
“Ky vendim po kritikohet si “politik” nga elitat politike në Kosovë, por edhe nëse ky vendim është deri diku politik, ai u detyrua nga veprimet e Presidentit Thaçi dhe mbështetësit e tij brenda dhe jashtë Kosovës, dhe nuk është dëshmi se kjo Gjykatë është politike, me gjithë pavendosmërinë e e politikës perëndimore ndaj çështjes së përpunimit të krimeve të luftës në rajon, produkt i së cilës është ngritja e Gjykatës Speciale”, ka thënë Weber në një intervistë për DW.