
Emisari amerikan për dialogun Riçard Grenell ka konfirmuar anulimin e takimit të 27 qershorit në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një postim në Tuiter, Grenell e ka falënderuar kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti për konfirmimin e anulimit të vizitës së tij, pas asaj të presidentit Hashim Thaçi dje.
Thaçi e anuloi vizitën në Shtëpinë e Bardhë, pas propozim-aktakuzës nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj presidentit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli për kinse krime lufte.
“Faleminderit, kryeministri Hoti. Ne e kuptojmë vendimin tuaj dhe mezi presim të ri-caktojmë takimin së shpejti”, ka shkruar Grenell.
Hoti ka thënë se vetëm përmes dialogut do të zgjidhen çështjet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Sa për ngritjen e aktakuzave nga Dhomat e Specializuara ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ai ka theksuar se ekzekutivi nuk i komenton ato.
“Vetëm përmes dialogut që qon në njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, ne mund t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me Serbinë”, është shprehur Hoti përmes Tuiterit.
“Qeveria ime nuk i komenton çështje që lidhen me Dhomat e Specializuara. Kosova do të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare!”./MIA