Deputetët në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë shënuar rekorde të diskutueshme për aktivitetin e tyre parlamentar gjatë vitit 2025. Sipas një analize të raporteve zyrtare, 83 deputetë, apo 66,9 për qind e tyre, nuk kanë parashtruar asnjë pyetje parlamentare.
Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë marrë pjesë në vetëm katër nga 99 seancat plenare gjatë vitit, ndërsa në raportet parlamentare nuk figurojnë diskutime, pyetje, amendamente apo propozime ligjore nga ana e tyre. Sipas përllogaritjes së analizës, paga vjetore e supozuar prej 25.286 eurosh nënkupton rreth 6.322 euro për çdo pjesëmarrje, pa shpenzimet e udhëtimit.
Edhe deputetë të tjerë kanë pasur aktivitet minimal. Valentina Marchevska ka marrë pjesë në të gjitha 99 seancat, por ka vetëm një aktivitet të regjistruar, ndërsa Kire Bozhinovski ka dy aktivitete dhe 94 pjesëmarrje.
Shpenzimet e udhëtimit të deputetëve gjatë vitit 2025 kanë arritur në mbi 232.900 euro, ndërsa 37 deputetë nuk kanë pasur asnjë diskutim plenar të regjistruar.
Paga, shpenzime dhe pjesëmarrje, por sa është realisht aktiviteti parlamentar? Të dhënat ngrenë pikëpyetje për funksionimin dhe përgjegjësinë e Kuvendit.



